Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës e Kryeministrit me rastin e shënimit 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ka organizuar tryezë diskutimi me temë “Avancimi i Agjendës për Barazi Gjinore dhe fuqizimi i grave në Kosovë parakusht për zhvillim të qëndrueshëm”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve tha se barazia gjinore në Kosovë nuk është në situatën e duhur.
Prandaj sipas tij, ka ende shume punë për të bërë si në të drejtën për trashëgimi, por edhe në punësimin e grave, raporton Ekonomia Online. Haradinaj ka deklaruar se babai i tij u ka lënë pasurinë djemve dhe kjo sipas tij nuk do të duhej të ndodhte.
Madje ai tha se po ndihet në faj që pozita e gruas në shoqëri është në këtë gjendje, por thotë se nuk do tu ik përgjegjësive.
“Është një situatë që nxjerr shumë detyra dhe shumë punë. Po bëjmë shumë punë për të ngritur vetëdijen. Një pjesë e vështirësive të barazisë gjinore vjen edhe nga mënyra e jetesës në të kaluarën, ku ishte një mënyrë patriarkale e të jetuarit, pastaj e zhvillimit ekonomik që është një zhvillim jo proporcional”.
“Unë kam marr pjesë disa herë në diskutime për trashëgiminë. Është e vërtet se prindi kur e lë një testament ja lë djalit dhe është momenti i fundit që kjo të rregullohet. Kur vjen lufta për një vend pune, për femrën është dy herë më vështirë. Qeveria që unë e udhëheq nuk e ka një numër të grave që është i respektueshëm”.
“Problemet burojnë që nga familja jonë, ka edhe të arritura, por nuk jemi në situatën e duhur. Unë si kryetar i Qeverisë ndihem në faj për ato që si kemi kryer në kohë, por nuk i ikim përgjegjësisë”.
Zëvendësministre e ministrisë së Kulturës Burbuqe Deva- Bakija, tha se ministria jep një kontribut të fuqishëm në barazinë gjinore
“Afër 700 të punësuarve në ministri 55% janë femra. Ministria jonë është angazhuar në promovimin e grave për vlerat artistike. Përmes departamenteve të ndryshme ministria përkrah projektet e prezantuara nga gratë”, tha ajo.