Sulmuesi 16-vjeçar, i lindur në Guinea-Bissau, po llogaritet ylli i ardhshëm i Spanjës. Ansu Fati, i cili debutoi me ekipin e parë të Barcelonës këtë edicion, ka tërhequr shpejt vëmendjen e të gjithëve dhe tashmë po vlerësohet si ylli i ardhshëm edhe te Përfaqësuesja e Spanjës.
Fati ka luajtur ndeshjen e parë me Përfaqësuesen U-21 të Spanjës të martën dhe të nesërmen ishte nëpër ballinat e të gjitha gazetave spanjolle që kërkonin të jetë pjesë e ekipit A të Spanjës, i cili të njëjtën natë siguroi pjesëmarrjen në “Euro 2020”, shkruan sot Koha Ditore.
“Kurrë nuk do ta harroj debutimin me ekipin U-21 të Spanjës”, tha Fati, që javë më parë ka marrë shtetësinë spanjolle. “Jam kënaqur dhe e kam shijuar plotësisht atë moment”.
Tashmë po flitet se ai mund të jetë pjesë e Spanjës në evropianin e vitit të ardhshëm, si dhe do të luajë me ekipin olimpik në LO “Tokyo 2020”.
“Ajo çka po i ndodh këtij djaloshi në moshë kaq të re, është diçka e jashtëzakonshme. Të gjithë jo vetëm që jemi të habitur, por edhe jemi të lumtur për shkak se duket që kemi gjetur yllin e ardhshëm si te Barça ashtu edhe te Spanja”, ka thënë trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde.