Një legjendë i palumtur, që është i lirë të largohet në verë. Një drejtor sportiv në telashe që me gjasë do të shkarkohet.
Një president në presion që po detyrohet të shkojë në zgjedhje të hershme këtë verë dhe një sulmues anësor 100 milionë funtesh (120 milionë euro) që ka luajtur vetëm dhjetë ndeshje të plota që nga transferimi dhe sërish është lënduar dhe do të mungojë deri në fund të stinorit, shkruan sot Koha Ditore.
Barcelona është klub në krizë, ku Lionel Messi, Eric Abidal dhe Jose Maria Bartomeu janë në luftë dhe Ousmane Dembele është në tavolinë të trajtimit.
Legjenda
Ndonëse ka kontratë deri në vitin 2021, Messi është i lirë të largohet nga Barcelona këtë verë pa dëmshpërblim.
Pak njerëz në skuadër besojnë se kjo do të ndodhë, por ai është i palumtur me mënyrën se si po udhëhiqet klubi dhe po duket se duhet të ndërrohet presidenti në verë dhe të bëhet një tentim serioz për të rikthyer Neymarin që Messi të qëndrojë te Barcelona.
“Sportsmail” mëson se frustrimi i krijuar pas dështimit që të transferohet Neymari verën e vitit të kaluar, dështimi për të transferuar sulmues në janar për të zëvendësuar të lënduarin Luis Suarez, si dhe tentimi i dështuar për të rikthyer Xavin, iu sollën në kokë Messit të martën, kur ai lexoi një intervistë të drejtorit sportiv Eric Abidal, në të cilën ndjeu se lojtarët po fajësohen për kaosin.
Nuk është hera e parë që Messi foli publikisht kundër atyre që drejtojnë klubin. Në dhjetor të vitit 2013 drejtori Javier Faus bëri komente për vazhdimin e kontratës së Messit. Messi u kundërpërgjigj: “Z. Faus nuk di asgjë për futbollin dhe mundohet të drejtojë Barcelonën sikur të ishte biznes. Por, nuk është biznes”.
Faus u largua në vitin 2015. Presidenti i Barcelonës, Josep Bartomeu, ka ftuar të mërkurën një takim me Abidalin dhe pritet që gjërat të shkojnë ngjashëm.
Problemet jashtë fushës po ndikojnë te Messi që është dukur si i humbur në disa raste gjatë ndeshjeve këtë stinor. Dhe burime brenda fushës stërvitore “Joan Gamper” sugjerojnë se është krijuar një distancë jokomode mes tij dhe së paku një prej bashkëlojtarëve të tij.
Detyra numër një e drejtorëve te Barcelona është ta mbajnë Messin të lumtur dhe ata nuk janë duke e kryer këtë detyrë.
Drejtori sportiv
Eric Abidal është drejtori i katërt sportiv te Barcelona në pesë vjet. Roli i tij është komplikuar për shkak të mungesës së përvojës së tij dhe po ashtu për shkak të mungesës së qartësisë se cilat saktësisht janë përgjegjësitë e tij. Në terma të thjeshtë, ai është aty për të transferuar lojtarë dhe për të angazhuar trajnerë.
Barcelona nuk ka bërë një transferim që pati sukses që nga viti 2014, kur Andoni Zubizarreta e transferoi Luis Suarezin, Ivan Rakitiqin dhe Marc-Andre ter Stegenin. Zubizarreta u shkarkua nga presidenti në janar të vitit 2015.