Saranda Ramaj, hulumtuese nga Instituti “Columbus”, ka thënë se duhet patjetër të funksionalizohet laboratori që bën analizën e barnave në vend.
Duke folur për revidimin e listës esenciale të barnave, Ramaj ka thënë se “kjo është vetëm listë e dëshirave”.
Në Express Intervistën në KTV, Ramaj ka thënë se buxheti për barna është rritur vazhdimisht, por në vend ka rënë furnizimi për shkak të keqpërdorimeve të shumta.
“Krahas rritjes së buxhetit po bie furnizimi me barna. Ka pas keqpërdorime që ndodhën dy vitet e kaluara. Pat rritje të buxhetit çdo vit, por përqindja e furnizimit ishte më e dobët se paraprakisht. MSH-ja ka qenë e prirë që nga paslufta të jetë pjesë e abuzimeve me barna. Armën më të fortë e ka prokurimin me barna sepse mund të abuzojnë pak me paga. Barnat janë fusha më problematike për MSH. Edhe sot ka probleme me furnizim”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar po ashtu se me kosovarët po bëhet një lloj “eksperimenti” sepse në vend ka citostatikë që vetëm kanë kaluar fazat klinike, por jo që të dihet se si veprojnë edhe te pacientët. Ramaj ka vlerësuar se Kosova ka zbrazëtira ligjore të shumta që mundësojnë shitjen e disa ilaçeve shumë më shtrenjtë sesa çmimi real i tyre.
Duke folur për cilësinë e barnave, Ramaj ka thënë se mjekët po detyrohen të trefishojnë doza në mënyrë që disa barna të kenë efektin e duhur. Kjo ka thënë sepse në vend nuk ka garantues të barnave dhe cilësisë së tyre.
“Cilësia e barnave është lënë në mirëbesim të kompanive që i sjellin në Kosovë nga Kina dhe ne besojmë se janë të sigurta. Kosova s’bën analiza sepse laboratori nuk funksionon. Ky është rekomandimi kryesor sepse s’mund të kesh listë esenciale të mirë sepse fut ilaçe paralele. Fiton në treg më i liri edhe pse s’ka efekt të mirë. Shpresoj që MSH-ja të marrë rekomandimin”, ka thënë ajo.
Sa i përket Shërbimit Informativ Shëndetësor, Ramaj ka thënë se është keqmenaxhuar shumë. Ajo ka shtuar se ka punëtorë që sabotojnë qëllimisht sistemin me qëllim që t’i ikin kontrollit, ndërsa ka përmendur edhe tenderët për çka ka shprehur bindjen se ka pasur keqpërdorime të shumta.
“Do të analizojmë një sistem që janë dhënë miliona e që janë ata keqmenaxhuar. E them me bindje të plotë. Janë blerë disa kompjuterë, janë gjuajtur e janë lënë. Kur duhej të ishim në fazën e fundit dhe tani SISH-i ka dështuar. Në Columbus po bëjmë gazetari hulumtuese me SISH-in sepse nuk janë përgjigjur në kërkesën tonë për të pasur qasje në dokumente. Është digjitalizim i shëndetësisë që në kohë reale mban në kontroll çdo gjë. Ka pas akuza nga ministrat paraprakë se punëtorët po e sabotonin me qëllim SISH-in. Por besoj se ka pasur abuzime edhe me tenderë. Njerëz të afërt me politikën, që po i zbulojmë ngadalë. Është skemë e mashtrimit dhe s’ka qenë qëllimi i funksionimit të SISH-it dhe sigurimeve shëndetësore. S’mund të paguhet sigurimi pa pasur garanci se s’mund të keqpërdoret. Duhet të ketë sistem që të gjithë të sigurohemi”, ka shtuar ajo.