Barometri i Reformave Evropiane e vlerëson me 51 pikë Qeverinë Kurti – 5 ministri me performancë të kufizuar, 3 nuk kanë masa të planifikuara

Prishtinë | 23 Shk 2024 | 14:32 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK) kanë prezantuar të premten Barometrin e Reformave Evropiane, i cili vlerëson performancën e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht, ministrive relevante në zbatimin e reformave të zotuara.

Në Edicionin e Parë të Barometrit, që përfshin periudhën janar-dhjetor 2023, pjesë e vlerësimit kanë qenë 13 ministri (nga 16 sa janë gjithsej, përfshirë Zyrën e Kryeministrit), pasi tri ministri (Ministria e Jashtme, ajo e Forcës dhe ajo e Zhvillimit Rajonal) nuk kanë pasur fare masa të planifikuara.

Nga 13 ministritë, tetë ministri kanë treguar performancë të mirë dhe pesë ministri kanë treguar performancë të kufizuar në zbatimin e reformave evropiane në vitin 2023, raporton Ekonomia Online.  

Barometri i Reformave Evropiane është një nismë e përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, që ka për qëllim të avancojë diskursin publik mbi reformat e BE së dhe të rrisë përgjegjshmërinë e institucioneve publike, përmes vlerësimit të rregullt të ministrive të Qeverisë së Kosovës. Vlerësimi i arritjeve përmes këtij Barometri bëhet krejtësisht përmes një metodologjie unike të bazuar në një numër kriteresh gjithëpërfshirëse.

Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, tha se rruga e integrimit të Kosovës është pezulluar nga prilli i vitit 2016, duke mos pasur asnjë përparim.

“Kjo rezultoi edhe me një humbje të interesimit të politikanëve për integrim në BE. Ka humbur shkëlqimi i integrimit evropian dhe Kosova mbetet e fundit në rajon, të themi, të stadeve për anëtarësim në BE. Dialogu uzurpoi një hapësirë të madhe të diskursit tonë politik të vëmendjes së politikanëve, integrimi dhe reformat evropiane u stopuan dhe kjo deri në një masë është e kuptueshme pasi urgjencat mediale janë më të rëndësishme se reformat afatgjate”, u shpreh ai.

“Qeveria patjetër se mund të bëjë dy gjëra edhe të merret me dialogun dhe të meret me reformat. Me dialogun merren dy persona me gjithë kabinetin qeveritar. Pyetja lind se çka janë duke bërë ministrat e tjerë. Ky është një lloj sfondi që na ka sjellë deri të barometri  i reformave evropiane. Shoqëria civile ka një hapësirë modeste për kontribut, por kemi parë të nevojshme diçka që të kthejë reformat evropiane përkundër urgjencave që lindin. Qëllimi i barometrit është të krijojmë hapësira publike që të diskutojmë rrjedhimisht më shumë lidhur me reformat. Barometri një lloj kampionati evropian, ideja është se si mund të bëjmë një vlerësim të kabinetit qeveritar që i shërben ministrat me një performancë të mirë dhe i vlerëson”, tha Shasha.

E mbështetje Kosova për anëtarësim në Bashkim Evropian mori nga Holanda. Këtë e bëri të ditur ambasadorja e këtij shteti në Kosovë, Carin Lobezzo.

“Kjo do tregojë Kosovës së si po ec progresi në BE dhe të gjitha sfidat përpara, çka po ndodh dhe çka do të ndodh. Është mirë të shohim se si këto agjenda po shpërndahen por qëllimi i këtij barometri, është një inkurajim dhe inspirim ambicioz në shtytjen e këtyre reformave, është në interes të gjithë Kosovarëve dhe BE-së. Holanda do e mbështes Kosovën që do lehtësojë anëtarësimin e saj në BE”, u shpreh ajo.

Zëvendësja e shefit të BE-së në Kosovë, Eva Palatova, tha se Barometri është një mjet i dobishëm për të forcuar dialogun ndërmjet shoqërisë civile, qeverisë dhe BE-së.

“Duket se është një mjet i shkëlqyer plotësues i raportit vjetor, duke e bërë më të lehtë ndjekjen e punës së ministrive të linjës. Nuk është për të vënë në dukje mangësitë e tyre apo për të gjykuar performancën e tyre, por për t’i ndihmuar ata të identifikojnë se çfarë funksionon dhe çfarë nuk është”, tha Palatova.

Prezantimi është pasuar me një diskutim të hapur me ministrat që kanë shënuar perfomancën më të mire gjatë këtij vlerësimi.

Ministrja e Ekonomisë, Rizvanolli, mori fjalën duke thënë që Barometri është një përmbledhje shumë e mirë, ku shpjegohet thjesht puna e ministrisë e që do të jetë e dobishme edhe për vetë ministrinë.

Ndërsa, Liburn Aliu theksoi se bashkëpunimi ndër sektorial është sfidë e përgjithshme dhe se nuk mund të ketë reformë pa bashkëpunim. Si sfidë tjetër ai përmendi kapacitetin njerëzor, ndryshimin e qeverisjes dhe ndryshimin e strukturës në Ministri.

Arbërie Nagavci theksoi se Barometrin e sheh si garë me vetën që do i ndihmojë në planifikim sa më të mirë. Ajo ka treguar se shpesh duke dashur që të përmbushet agjenda evropiane nuk merret parasysh gjendja aktuale gjatë planifikimit, si dhe tregoi se si është sfiduese për Ministrinë e Arsimit se ligjet e arsimit janë legjislacion me interes vital për Kosovën dhe ndryshimet mund të kufizohen për arsye politike.

Tetë ministritë me performancë të mirë janë:

  1. Ministria e Ekonomisë me 64 pikë;
  2. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 64 pikë;
  3. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me 60 pikë;
  4. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rajonal me 60 pikë;
  5. Ministria e Punëve të Brendshme me 56 pikë;
  6. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me 56 pikë;
  7. Ministria e Drejtësisë me 53 pikë; dhe
  8. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me 53 pikë.

Pesë ministritë me performancë të kufizuar janë:

  1. Ministria për Kthim dhe Komunitete me 46 pikë;
  2. Ministria e Shëndetësisë me 45 pikë;
  3. Zyra e Kryeministrit me 39 pikë;
  4. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me 36 pikë; dhe
  5. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me 29 pikë.

Dhe në fund e gjithë kjo ka rezultuar me vlerësimin përfundimtar të gjithë Qeverisë me 51 pikë nga 100 pikë totale, duke e vlerësuar kështu gjithë kabinetin qeveritar me performancë të mirë në ndërmarrjen e reformave evropiane gjatë vitit 2023.

LEXO EDHE:

Të ngjashme