Kryeministri është emnak i Isa Boletinit, por nuk është as luftëtar, e as trim. Ai nuk po resht së qëlluari nga koburja e tij. Por pa sukses, sepse barutin e ka të lagur. I ka mbetur të shajë e fyejë kundërshtarë politikë e kritikë. Isa Mustafa është në panik dhe për të gjitha dështimet, fajin po e gjen te opozita dhe shoqëria civile
Anekdota thotë se Isa Boletini kishte shkruar në Londër, në Parlamentin Britanik, me dy kobure. Ai njihej si luftëtar trim e udhëheqës i lëvizjeve për çlirim e bashkim kombëtar.
Një shekull më vonë, një tjetër Isë – aspak luftëtar, e aspak trim, nuk po resht së provuari për të qëlluar nga koburja e tij. Por pa sukses, sepse barutin e ka të lagur.
Në mungesë të argumenteve dhe i gjendur përballë dështimeve në marrjen e vendimeve për çështje të rëndësishme, kryeministri Isa Mustafa e partia e tij nuk po zgjedhin fjalë për të fyer, sharë e akuzuar zyrtarë opozitarë, por edhe pjesëtarë të shoqërisë civile kritikë ndaj qeverisjes së tij.
Ai shpërtheu pas publikimit të një sondazhi të realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me të rinj të moshave 17-21 vjeç, që e ka nxjerrë LDK’në partinë e tretë në vend, kurse Mustafën të katërtin ndër liderë. Pa dhënë ndonjë arsyetim konkret e logjik për rezultatin e sondazhit, ai tha se shoqëria civile në Kosovë ishte e politizuar dhe se dyshonte që qytetarët përkrahin partitë që demonstrojnë dhunë.
Por, Mustafa e LDK shpërthyen sërish vetëm një ditë pasi “Zona Express” shfaqi dokumentarin “Lidhja e terminaleve”, në të cilin vërtetohej pasurimi i djemve të tij pas ardhjes në postin e kryeministrit. Po ashtu, dokumentari faktonte se si shteti ishte vënë në shërbim të familjes së Isa Mustafës dhe të Margarita Kadriu për t’ua dhënë lejet për terminale doganore, duke ndërruar madje edhe rregullativën ligjore.
Pasi Mustafa shkroi në Facebook se deputeti Pal Lekaj po shërbehej me gjuhë rrugaçësh, ashtu si Marko Gjuriq, LDK nëpërmjet një komunikate Lekajn e quajti “injorant komik”, ndërkaq në sulmin e vet e përfshiu edhe Dardan Molliqajn e Lëvizjes Vetëvendosjes, të cilin e cilësoi si “kriminel ordiner”. Tamam gjuhë e një partie “intelektualësh e akademikësh”, çfarë ka dëshirë ta quajë veten LDK.
* * *
Në pamundësi për të çuar përpara procese të rëndësishme të vendit, për të përmbushur premtimet megalomane të fushatës dhe pas publikimit të disa sondazheve që po tregojnë rënien e LDK’së, Isa Mustafa është në panik. Për të gjitha dështimet, ai po e gjen fajin te opozita dhe te shoqëria civile. Për dështimin e liberalzimit të vizave, sipas tij, fajin e ka opozita që nuk po e miraton demarkacionin me Malin e Zi. Por, ai ka mjaftueshëm vota të koalicionit për të kaluar marrëveshjen. Është çështje tjetër që për versionin aktual të demarkacionit, nuk po arrin t’i bind as deputetët e partisë së tij.
Për dështimin në zhvillimin ekonomik e investimet e huaja, Mustafa ka fajësuar sërish opozitën dhe gazin lotsjellës të hedhur në Kuvend. Por, nuk e ka përmendur nivelin tmerrësisht të lartë të korrupsionit, për të cilin thotë të jetë vetëm një perceptim.
Ndërkaq, për dështimin në parandalimin e ndërtimit të murit ndarës në Mitrovicë, kryeministri nuk ka përtuar që t’i fajësojë kritikët e tij, të cilët i ka quajtur gjela që krekosen. Sipas tij, murin e rrënon ligji.
Por, para se të përmend rend e ligj, Mustafa është mirë të sjell ndërmend bizneset e djemve të tij, që po zgjerohen nën qeverisjen e babës. Është mirë të përmend rregullativën ligjore që iu përshtatet bizneseve të djemve të tij dhe bizneseve të familjeve të deputetëve, që votojnë për t’ia zgjedhur Hashim Thaçin president.
Para se të përmend suksese të arritura nga qeveria e tij, Mustafa është mirë të sjell ndërmend dëmin më të madh qa ia ka bërë vendit – krijimin e mundësisë që PDK e Hashim Thaçi të mbeten në pushtet, përkundër zotimit se kurrë nuk do ta bënte një gjë të tillë.
* * *
Nëse Isa Mustafa do të mbahet mend për diçka gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes së tij, atëherë ajo është gjuha e tij kontaminuese dhe diskursi skandaloz publik në raport me opozitën dhe shoqërinë civile. Një gjuhë aspak e denjë për postin që mban, një gjuhë që nuk i bën nder aspak një akademiku. Gjuha e përdorur nga Mustafa është gjuhë fyese e kërcënuese dhe e shpërfaq atë çfarë në të vërtetë është – idhnak e agresiv, njeri që nuk i duron vërejtjet e kritikat dhe që dështimet e veta përpiqet t’ua mvesh të tjerëve.
E nëse LDK është “një fanar që ndriçon Kosovën”, siç ka thënë Mustafa, atëherë le të dëshmojë që si parti që e ka pushtetin, në krye me liderin e saj, është në gjendje të na ndriçojë rrugën drejt së ardhmes: le t’i liberalizojë vizat, ta luftojë krimin e organizuar e korrupsionin, ta zhvillojë ekonominë, të hap qindra-mijëra vende pune, të përmirësojë arsim e shëndetësi. Apo, edhe këto premtime janë si ai që nuk do të bëjë kurrë koalicion me PDK’në.
Isa Mustafa nuk është asgjë më shumë se një kryeministër i lodhtë që nuk bën gjë të hajrit për shtetin, por shumëçka për veten dhe familjen e tij. Një kobure me barut të lagur, por që dhez veç kur është puna për përfitime personale. (Gazeta Express)