Me ndihmën e tre shqiptarëve në fushë që nuk u aktivizuan njëkohësisht, Basel doli me sukses në impenjimin e vështirë ndaj Getafes në Europa Ligë, duke fituar 2-1.
Taulant Xhaka i Kombëtares Shqiptare dhe Edon Zhegrova i Kombëtares së Kosovës e nisën si titullarë, ndërsa Kemal Ademi u fut si zëvendësues në impiantin Sejnt Xhejkob Park, aty ku helvetikët morën tre pikë që praktikisht i dhurojnë kualifikimin.
Golat e vendasve erdhën nga Artur dhe Frai.
Lazio u zhgënjye në shtëpi në sfidën kundër Celtic të cilën e humbi në mënyrë të pabesueshme në minuta shtesë.
Këtë radhë dy futbollistë shqiptarë ishin protagonistë në negativ.
Skocezët fituan ashtu si dy javë më parë me përmbysje, por e bënë këtë pas golit në portën e Tomas Strakoshës, pak pasi Valon Berisha kishte dështuar në mënyrë të bujshme në një rast, edhe pse u fut për të ndihmuar romanët.
2-1 për ishullorët që e bëjnë kualifikimin e Lazios thuajse të pamundur./ Top Channel