300 studentë europiane të organizatës së Partisë Popullore Europiane do t’i bashkohen protestës së opozitës pasditen e së shtunës. Gjatë një takimi që zhvilloi me ta, Lulzim Basha tha se kauza e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme është themeli i demokracive europiane.
“Beteja që ne kemi nisur nuk është një betejë për pushtet, është një betejë për Europën, për vlerat që na bashkojnë. Në Europë shkohet me zgjedhje të lira e të ndershme. Në këtë betejë nuk kemi thjesht një kundërshtar ideologjik, Partinë Socialiste të Shqipërisë, por kemi një kupolë të rrezikshme politikanësh të korruptuar dhe të lidhur me krimin.”
Në krah të Lulzim Bashës në takimin me të rinjtë europianë ishte edhe Glauk Olldashi, djali i ish- deputetit të ndjerë, Sokol Olldashi, të cilit kreu i demokratëve i njohu angazhimin e tij në mbrojtje të të drejtave të studentëve në Shqipëri.
“Natyrisht merita e tij është që ka qenë krah studentëve shqiptarë që në ditën e parë në betejën për arsimin e lartë për standarde europiane. Por natyrisht nderon edhe trashëgiminë e babait të tij, ish kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demorkatike, një miku dhe bashkëpunëtori të shquar timin dhe një nga liderët e Partisë Demokratike të ndarë tragjikisht nga jeta para disa vitesh, z. Sokol Olldashi.”
Dyert e unionit u shpreh kryedemokrati nuk do të hapen edhe këtë Qershor për Shqipërinë dhe shkak sipas tij janë lidhjet e qeverisë me krimin, minimi i shtetit të së drejtës, mungesa e demokracisë dhe vjedhja e votave./tv klan/