Ka reaguar kreu i PD-së, Lulzim Basha, pas lajmit se kryeministri, Edi Rama, i ka ngritur padi kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj.
Padia e Ramës, të cilën e ka siguruar ekskluzivisht “Betimi për Drejtësi”, të mërkurën, është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Me pretendimet se Haradinaj ka shpifur me deklarimet e tij ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama kërkon kompensim të dëmit.
Padia e Edi Ramës, e cila përmban mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.
“Pseudo-padia e Edi Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës është një perversitet i shëmtuar anti-kombëtar. Është turp i pakapërdishëm që Ramush Haradinaj, pas gjakut të tij dhe familjes së tij për çlirimin e Kosovës, pas betejave me akuzat e montuara të Beogradit, të përballet me pasojat e degjenerimit dhe vasalitetit të Edi Ramës”, thotë kreu i PD.
“Ky akt i ulët që na turpëron të gjithëve meriton refuzimin dhe revoltën legjitime ndaj një kryeministri të dështuar fund e krye dhe ndaj falimentimit të tij politik dhe moral para Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar.”, mbyll ai reagimin në Facebook.