Pas deklaratave të fundit të kryeministrit Edi Rama për aksionin kundër hashashit, ka reaguar edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai përmes një statusi në Facebook ka ironizuar këtë aksion të Ramës.
Në postim Basha numëron emrat që duhet të arrestojë Rama si kokat e trafikut të drogës, nga ish-ministri Saimir Tahiri, tek Klement Balili dhe vëllai i ish-ministrit Xhafa.
Por, sipas tij me këta Rama është i lidhur dhe shqiptarët do te zhgënjehen, pasi operacioni do marrë fund vetëm me kapjen e ca fshatarëve të varfër.
Postimi i Bashës:
Me seriozitetin tragjiko-komik që e ka pushtuar, Edi Rama shpalli sot para botës një tjetër betejë historike: luftën heroike kundër kanabisit dhe grupeve kriminale të lidhura me drogën. Por, tashmë, dihet se herozimi i vetëm i Ramës është të arrestojë keqbërësit e vegjël, ata që nuk janë aq të mëdhenj sa të kenë lidhje me pushtetin.
Koka e kthimit të Shqipërisë në plantacion kanabisi është Sajmir Tahiri, aq sa edhe partnerët e huaj i vunë ultimatumin Ramës për largimin e tij, si kurrë ndonjëhere. Por ata që presin që aksioni i Ramës të prekë Tahirin do të zhgënjehen.
Trafikanti ndoshta më i madh i drogës në Shqipëri është Klement Balili, të cilin e Edi Rama e la të lirë edhe pse e kërkonte qeveria e SHBA-ve, sepse po të fliste Balili rrëzohej gjysma e ministrave.