Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, është deklaruar pas reagimeve lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi të dielen në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku humbi jetën një grua dhe një burrë mbeti i lënduar rëndë.
Basha tha se ministria ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës, duke kundërshtuar pretendimet se bëhet fjalë vetëm për largim të dheut nga zona problematike.
“Ministria sot ka njoftuar se ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpatave në autostradën ‘Ibrahim Rugova’. Pra nuk bëhet fjalë për ‘heqje dheu’, siç po manipulon Kryetari Rama dhe siç është raportuar në disa portale, por për projekte të sanimit të plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës”, ka deklaruar Basha.
Ai ka reaguar edhe ndaj pretendimeve që lidhin aksidentin fatal me rrëshqitjen e dheut në atë pjesë të autostradës, duke thënë se autoritetet janë në pritje të raportit zyrtar të Policisë së Kosovës.
“Një ligësi tjetër është manipulimi me aksidentin që ndodhi gjatë vikendit. Siç është e njohur për publikun, autostrada ka qenë e pastruar nga dheu në momentin kur ka ndodhur aksidenti tragjik. Ne po presim raportin zyrtar të Policisë së Kosovës dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e manipulimeve politike që tentojnë të përfitojnë nga tragjeditë njerëzore”, është shprehur ai.
Ushtruesi i detyrës së ministrit ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës, ndërsa ka akuzuar kundërshtarët politikë se po përpiqen të përfitojnë nga ngjarja tragjike.
“Familjes të së ndjerës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Na vjen keq që, përveç dhimbjes që ka shkaktuar ky aksident, Kryetari Rama dhe disa të tjerë po përpiqen të nxjerrin përfitime politike nga kjo tragjedi. Por nga mashtruesit dhe manipuluesit nuk pritet më shumë. Qytetarët i njohin mirë dhe këtë po e dëshmojnë me votë në çdo palë zgjedhje”, ka përfunduar Basha.