Basha: Ne nuk do të lejojmë votime të paligjshme dhe farsë

Prishtinë | 26 Qer 2019 | 16:18 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se opozita nuk do të lejojë votime të paligjshme dhe farsë.

“Votimet e 30 qershorit janë dhe do të jenë zero. Ato janë tentativë për grusht shteti i Edi Ramës për të rrëmbyer të gjithë qeverisjen vendore të Shqipërisë, me të njëjtat banda dhe kriminelë që ka vjedhur edhe zgjedhjet e 2015-s dhe të 2017-s. Opozita dhe qytetarët janë në këmbë në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë”, tha Basha në një prononcim për media mesditën e sotme nga selia e PD-së.

Ndërkohë, burime zyrtare nga PD para daljes së Bashës paralajmëruan se do të ketë protesta çdo ditë, edhe më 30 qershor dhe 1 korrik.

“Ne nuk do të lejojmë votime të paligjshme dhe farsë! Nuk do të lejojmë që në Shqipëri të instalohet përfundimisht regjimi autokratik kriminal i Edi Ramës. Ne nuk do të lejojmë që Edi Rama t’i shkojë deri në fund planit të tij kriminal për të mbajtur me dhunë pushtetin dhe për të destabilizuar vendin. Asnjë hap pas! Ne do t’i dalim për zot Shqipërisë”, nënvizoi Basha në mbyllje të fjalës së tij në të cilën komentoi dhe Vendimin e Këshillit të Evropës për të anuluar dërgimin e Delegacionit Vëzhgues.

“Vendimin e Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Evropës për të anuluar dërgimin e Delegacionit Vëzhgues për farsën elektorale që po tenton të zhvillojë Edi Rama, është fakt kuptimplotë se në 30 qershor nuk ka zgjedhje në Shqipëri”, u shpreh Basha./Oranews/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme