Lulzim Basha iu ka bëri thirrje qytetarëve të Vlorës të vijnë në Tiranë më 16 shkurt në protestën e opozitës së bashkuar, siç tha ai, për të përmbysur këtë sistem të kalbur.
Basha përsëriti se kjo qeveri ka ardhur në pushtet me paratë e krimit dhe nuk mendon për njerëzit.
“A mund të mendojë për qytetarët, për investitorët një qeveri që ka ardhur në pushtet me paratë e krimit.
Gjëja e fundit që të shkon në mendje janë hallet e njerëezve. Ardhja në pushtet e Edi Ramës është faktuar tashmë dhe nga Zëri i Amerikës si një grusht shteti.
Ky sistem i kalbur duhet përmbysur. Rruga jonë drejt Europës do të mbetet e bllokuar, ne duhet ta çelim rrugën drejt Europës. Ne mund ta hapim atë derë vetëm duke shembur sistemin e kalbur që e mban peng Shqipërinë.
Procesi politik ka marrë fund. Koha për fjalë ka mbaruar dhe më 16 shkurt është koha për vendimmarrje”, tha Basha në Vlorë.
Ai theksoi se rregulli numër një i Europës është që kur pushteti uzurpohet janë qytetarët që e çlirojnë.
“Zëri juaj më 16 shkurt është vullneti i sovranit. Nuk e them thjesht si kryetari i opozitës por kam ardhur tua them si vlera e Europës ku duam të shkojmë. Më 16 shkurt t’i japim fund këtij grushti shtetit. Duhet të merrni në dorë fatet tuaja. Kjo është ftesa që kam për ju, për çdo vlonjate e vlonjat, për socialistët e tradhtuar dhe të poshtëruar.
Pritshmëritë e Europës janë tek i vetmi faktor që mund të sjellë ndryshimin dhe ky faktor jeni ju.
A ja vlen të luftoni për fëmijët tuaj? A ja vlen të luftoni për rininë shqiptare? Atëherë mblidhni forcat për t’i dhënë goditjen finale këtij pushteti. Do ketë vetëm një rezultat, Shqipëria e çliruar”,deklaroi Basha.