Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i tha mbrëmë TCH se përgjegjësia e humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit i takon atij.
“Përgjegjësia kryesore e humbjes në zgjedhje më takon mua dhe e kam bërë këtë proces analize sepse nuk mund t’i ikja edhe gjatë procesit të zgjedhjeve për kryetar të partisë. Për pjesën brenda nesh. Mos harroni se ne dolëm nga një “luftë”, ishim në zgjedhje në një “luftë” me krimin e organizuar, jo me kundërshtarët politikë, por me krimin e organizuar në aleancë me kundërshtarin politik. sa i përket faktorit të brendshëm, përgjegjësia kryesore është e kryetarit, është e imja”, tha Basha.
I pyetur për Lëvizjen për Ringritjen e PD, Basha tha se, “Partia Demokratike ka normat dhe institucionet e saj. Për mua si kryetar i saj në raport me detyrat që kam para anëtarësisë dhe në raport me moralin dhe vlerat është e rëndësishme që zëri kritik të dëgjohet dhe të ketë hapësirë në veprimtarinë e PD. Në këtë kuptim, krijimi i kësaj hapësire është detyra kryesore. I kam dëgjuar dhe do t’i dëgjoj vazhdimisht kritikët. PD është futur në një proces analize dhe konsultimi nga e cila do të dalë me vendime sa i përket organizimit dhe ndryshimeve statutore, por ndërkohë PD ka një detyrë shumë të rëndësishme para gjithë shqiptarëve si opozita e vendit dhe kjo detyrë është përballja me keqqeverisjen dhe tregimi i një shtegur të ri për Shqipërinë që sot është në prag gremine. Pra çështja forcimit të PD-së për t’iu përgjigjur sa më mirë qytetarëve në këtë kohë kaq kritike për vendin janë shqetësimi im kryesor. Në këtë kuadër çdokush që ka mendime dhe propozime do të vazhdojë të ketë hapësirën për t’u dëgjuar dhe së bashku me anëtarësinë e PD të kontribuojë që këto ndryshime ta bëjnë PD më të fortë dhe më të gatshme për t’u përballur me këtë sfidë të madhe të Shqipërisë”.
I pyetur për listën e deputetëve, Basha theksoi se, “gjithçka ka ndodhur në një kontekst të veçantë dhe një afat kohor të kufizuar. U detyrova të marr një vendim personal dhe këtë nuk e kam fshehur. Ditën kur kam marrë këtë vendim kam thënë që kjo është hera e fundit kur kryetari i PD bën listën e deputetëve. Besoj që kjo që këtej e tutje do të jetë e drejta e anëtarësisë. Ka qenë një kthesë e fortë 90 gradë nga një protestë tek një marrëveshje politike që kaluam nga gjendja e protestës në fushatë. Unë nuk e kam fshehur asnjëherë këtë. Absolutisht që janë përgjegjësitë e mia dhe përgjegjësitë e mia janë kryesore si kryetar i PD. Ajo që dua të them sot, është që në nivelin taktik ka gjëra që duhet të ishin bërë ndryshe. Në nivelin politik nuk ka patur asnjë kompromis në kurriz të shqiptarëve”.