Lulzim Basha deklaron se Policia e Elbasanit është duke mbajtur të fshehur një ngjarje të rëndë të ndodhur në këtë qytet më datë 1 nëntor.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha, duke iu referuar “burimeve të sigurta” shkruan se një shtetas është ndaluar nga një postbllok i policisë me dy dëshmie aftësie për drejtim automjeti në emër të Saimir Tahiri.
“Burime të sigurta informojnë se më datë 01/11/2017 është arrestuar nga Policia e Elbasanit shtetasi Orest Lefter Sota, sepse nuk i ka ndaluar postbllokut të policisë. Gjatë kontrollit në automjet i janë gjetur dhe sekuestruar 800 mijë Euro dhe dy dëshmi aftësie për drejtim automjeti në emër të Saimir Tahirit”, shkruan Basha.
Kreu i PD thotë se rasti nuk është bërë publik nga policia.
“Duke dënuar ashpërsisht fshehjen e kësaj ngjarjeje kriminale nga Haki Cako dhe Fatmir Xhafa me urdhër të Edi Ramës, i kërkoj prokurorisë të hetojë e të mos shmangë nga përgjegjësia autorët dhe urdhëruesit e këtij akti mafioz”, deklaron ai.