Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, është ndalur në qytetin e Shkodrës, ku është takuar me mbështetës të partisë së tij.
“Qeveria e paligjshme nuk ka për t’i rezistuar dot bashkimit të shqiptarëve. Nuk i rezistoi dot diktatura e jo më t’i rezistojë Edi Rama, ky frikacak që e mbyllën 1200 naftëtarë në bunker. Çfarë do t’i bëjnë 12 mijë shkodranë, 120 mijë shqiptarë të bashkuar në sheshin e protestës më 27 janar? Do t’i thonë se koha jote ka marrë fund!”, u shpreh Basha.
Kreu i opozitës theksoi se shkaku kryesor për gjendjen e mjeruar në vend është qeverisja nga një grup njerëzish që pushtetin e blenë me paratë, e krimit, drogës dhe korrupsionit.
“E vërteta është ai prindi në Laprakë që kishte shitur gjakun e trupit të tij për të ushqyer dy djemtë. E vërteta janë qindra, mijëra pensionistë që pasi paguajnë faturën e kripur të dritave dhe të ujit, nuk u ngelen lekë për ilaçe. E vërteta janë qindra, mijëra të rinj të talentuar, të zgjuar, që nuk studiojnë dot, sepse prindërit nuk paguajnë dot tarifat e dyfishuara.”, tha Basha.
Lulzim Basha iu referua raportit të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, i cili thotë se varfëria dhe pabarazia janë rritur në mënyrë të shfrenuar gjatë 5 viteve të fundit, si rezultat i korrupsionit të shfrenuar, taksave të larta, dhe depërtimit të kriminelëve në vendimmarrjen politike të qeverisë shqiptare.
“Këto konstatime, tregojnë hendekun në rritje midis shumicës dërrmuese të njerëzve dhe një pakice oligarkësh, klientë të Ramës që vetëm flasin, vjedhin e shpërdorojnë paratë e shqiptarëve. Nuk janë socialistë, nuk janë të majtë, janë një klub pasanikësh, hajdutë, plaçkitës dhe grabitës. Kusarë pra, që nuk janë pasuruar me djersën e ballit. por me varfërinë e popullit dhe blerjen e votave.” –theksoi Basha.
Basha ftoi shqiptarët t’i bashkohen opozitës për të dhënë mesazhin kryesor se qeveria duhet të largohet dhe se shqiptarëve duhet t’u jepet mundësia të zgjedhin me votë të lirë një qeveri që e ka lidhur fatin me qytetarët dhe jo me krimin dhe oligarkët.