Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe dy drejtuesit e tjerë, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi e kanë konsideruar në shkelje të ligjit thirrjen e tyre në prokurori sot në orën 9:30.
Në një letër drejtuar prokurorisë së Tiranës, Kryetari i PD shpreh gatishmërinë për t’u paraqitur për t’u paraqitur në prokurori, sapo ajo sipas tij të zbatojë me përpikëri ligjin.
Sipas tij në njoftimin e prokurorisë së datës 12 qershor nuk është zbatuar kërkesa e ligjit për prezantimin e fakteve qe kanë rezultuar deri tani nga hetimet për lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për këtë arsye, Kryetari i PD i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit.
“Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”, shprehet në letrën e tij Kryetari i PD, Lulzim Basha.
Ai e mbyll letrën duke theksuar se “duke kërkuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga prokuroria, që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”.