Në një komunikim me mediat pas takimit me përfaqësues të Institutit Ndërkombëtar Republikan, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se pavarësisht sistemit zgjedhor në zgjedhjet politike, zgjedhjet brenda partisë do të zhvillohen sipas parimit “një anëtar, një votë”.
“Jo vetëm anëtarë e PD që do të kenë pushtetin në duart e tyre për të vendosur, por do të jenë qytetarët shqiptarë që do të përfitojnë standard të paprekur në këto 30 vite tranzicion, të transparencës së Partisë Demokratike, për të bërë të mundur që në këtë proces të përfshihen të gjithë qytetarët që ndajnë vlerat tona dhe programin tonë”, tha kreu i PD.
Sipas tij fiks 1 vit pas kuvendit kombëtar të PD, kur e vendosëm këtë rregull të statutit tonë, kemi hedhur një tjetër hap të rëndësishëm me mbështetjen e Partisë Republikane Amerikane, Partinë Konservatore Britanike, por edhe Fondacionin “Konrad Adenauer” dhe Partisë Kristiandemokrate gjerman, për ta bërë PD partinë e parë të stilit krejtësisht perëndimor, që angazhon anëtarësinë për zgjedhjen e deputetëve.
Ne jemi sot betejë për jetë a vdekje për demokracinë, por kjo nuk na pengon të përgatitemi për përgjegjësitë që kemi jo vetëm për të sotmen, por edhe për të nesërmen. Sepse duke zgjedhur deputetët me përfshirjen e plotë të anëtarësisë, garantuar transparencën brenda PD japim një garanci të fortë që edhe qeverisja jonë nesër do t’i takojë qytetarëve dhe interesave të krimit dhe grupeve të veçanta që kanë marrë peng qeverisjen e Shqipërisë.
Nuk ka mospërputhje mes qëndrimeve tona. Zotimi i gjithë koalicionit është pjesëmarrja në zgjedhje vetëm kur të ketë vërtet zgjedhje dhe kusht i padiskutueshëm për këtë është largimi i Edi Ramës dhe qeveria tranzitore”, u shpreh Basha.