Punime dore të ndryshme nga të gjitha viset shqiptare do të jenë të ekspozuara në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Veshje tradicionale, ushqime të ndryshme, bizhuteri ishin vetëm disa nga punimet e ndryshëm të cilat u prezantuan në kuadër të “Panairi tradicional 2017”, i cili është një ndër aktivitete e shumta që Ministria e Diasporës ka organizuar për të mirëpritur bashkatdhetarët që vijën në Kosovë.
Hapjen e këtij panairi e bërë ministri i Diasporës Valon Murati, i cili tha se ky aktivitet është i rëndësishëm për shkak se në këtë panair mblidhen prodhues të artizanaleve nga të gjitha viset shqiptare dhe se ky aktivitet mirë pritet nga bashkatdhetarët.
“Kjo është pjesë e aktiviteteve që ne organizojmë me moton “Ti je Pjesë e Atdheut” që bëhet për nder të ardhjes së bashkatdhetarëve në Kosovë që është aktivitet tashmë tradicional që mbahet çdo vit, i cili është aktivitet shumë i suksesshëm, ka interesim të jashtëzakonshëm për të prezantuar produktet nga të gjitha viset shqiptare”, tha Murati.
Pjesë e këtij panairi ishin më shumë se 60 biznese. Një ndër pjesëmarrëset në këtë aktivitet ishte edhe Lubiana Baoja nga shoqata “GjiroArt” nga Gjirokastra, shoqatë kjo e cila në këtë panair merr pjesë për herë të dytë.
“Ne si pjesëmarrës në këtë aktivitet jemi munduar ta respektojmë këtë aktivitet duke prodhuar suvenir produkte me motive shqiptare. Shpresojmë që aktivitete të tilla të mos ishin vetëm një herë në vit por pse jo më shumë se dy tre herë. Ne artizanet e Shqipërisë e vlerësojmë shumë këtë aktivistet sepse Prishtina është një vend ku vlerësohen produkte të tilla”, u shpreh Baoja.
Nga Shkodra për të marrë pjesë në këtë panair kishte ardhur edhe Xhuliana Ndoci e cila u shpreh shumë e kënaqur dhe mirënjohëse për mikpritjen që i ka bërë Prishtina.
“Organizimi është jashtë mase i bukur, shumë i mirë. Jemi të kënaqur për mikpritjen që na keni bërë si shok tonë dhe vëllezërit tonë që jeni” theksoi ajo.
Ky panair i cili do të qëndroi i hapur deri më 15 korrik pas dy dite do të kombinohet edhe me një aktivitet tjetër të titulluar “Sofra” që do të përcjellët me muzikë tradicionale shqiptare.