Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Luigi Soreca, ka bërë me dije se vendet e unionit do të ndihmojnë Shqipërinë me 20 mijë teste për COVID-19. Me anë të një postimi në rrjetin social “Twitter”, Soreca shprehet se Bashkimi Europian ka qëndruar dhe do të qëndrojë në krah të Shqipërisë.
“Donacioni i BE për materiale kontrolli për COVID-19 është gjatë rrugës. 20, 000 teste do t’i vihen në dispozicion Institutin e Pajisjeve të Shëndetit Publik në Tiranë. Sa më të besueshme janë testet, aq më efektive është lufta! BE qëndron pranë Shqipërisë”, shkruan Soreca.
Bashkimi Europian ka akorduar për Shqipërinë një shumë prej 50 milionë eurosh për të përballuar pandeminë globale të COVID-19. Prej kësaj shume, 4 milionë euro janë parashikuar të shkojnë për pajisje mjekësore.
Vendi ynë ditët e fundit ka njohur një përmirësim të dukshëm në lidhje me numrin e të infektuarve me coronavirus, ndërsa ajo që vihet re edhe nga shifrat e publikuara nga ministria e Shëndetësisë ka të bëjë me uljen e të sëmurëve aktivë nga COVID-19.