Bashkimi Evropian i kontrakton 300 milionë vaksina

Prishtinë | 11 Nën 2020 | 19:02 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Evropian ka arritur marrëveshje me kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech’ për furnizimin me 300 milionë doza të vaksinës kandidate kundër Covid-19.

Vendimi për blerjen e 300 milionë dozave erdhi menjëherë pasi “Pfizer” njoftoi se vaksina eksperimentale është më shumë se 90 për qind efektive, duke u bërë kompanitë e para që shfaqin të dhënat e suksesshme të testimeve klinike të vaksinës, njofton Reuters.

Marrëveshja është aprovuar në mbledhjen e Komisionit Evropian dhe tani do të mundësohet shpërndarja e mundshme e vaksinës nëpër të gjithë BE-në. Me këtë marrëveshje, 27 vendet e BE-së mund të blejnë 200 milionë doza me mundësi të blerjes së 100 milionë dozave të tjera. BE-ja ka marrëveshje për blerjen e vaksinave dhe me kompanitë “AstraZeneca”, “Sanofi” dhe “Johnson and Johnson”.

Por Rusia ka ngulmuar të mërkurën se vaksina e saj “Sputnik V” ka shkallë efikasiteti prej 92 për qind, kanë treguar rezultatet e para të testeve klinike, ka njoftuar fondi shtetëror i shëndetësisë në Moskë. Rusia po mundohet të mbajë hapin në betejën për të dalë me vaksinën e saj në kohën kur Perëndimi është krejt afër që ta certifikojë vaksinën më serioze deri tani.

Zyrtarët e lartë rusë, përfshirë edhe presidentin Vladimir Putin, kanë shprehur kaherë bindjen se do të siguronin vaksinën në muajt e vjeshtës, por “Sputniku” nuk dha rezultatet e shpresuara. Megjithëse ekspertët kanë thënë se të dhënat ruse ishin inkurajuese dhe fuqizojnë idenë se pandemia mund të ndalet nga vaksinat, kanë paralajmëruar se rezultatet janë bazuar vetëm në një numër të vogël vullnetarësh të testuar, të cilët kishin COVID-19.

Analiza ishte kryer pasi 20 pjesëmarrës zhvilluan virusin dhe u ekzaminuan pas marrjes së vaksinës. Kjo është shkallë larg më e ulët testimesh krahasuar me vaksinën më serioze deri tani të “Pfizer” dhe “BioNTech”.

Ndërkohë shtetet evropiane po vazhdojnë të përballen me shkallë të lartë të rasteve të reja. Disa prej vendeve kanë ashpërsuar masat edhe në nivel vendi, sikur se Franca, por njëherësh po ngrihet edhe numri i atyre që i kundërshtojnë masat për ta frenuar përhapjen e koronavirusit. Ekspertët paralajmërojnë se muajt e dimrit mund të rezultojnë me numër të pakontrollueshëm rastesh për sistemet e tyre shëndetësore.

Italia ka ashpërsuar masat në Toskanë dhe katër rajone të tjera për të parandaluar valën e dytë të koronavirusit. Gjatë javës së kaluar qeveria ka miratuar izolimin total, përfshirë edhe orën policore ndërsa shtetin e ka ndarë në tri zona të bazuara në intensitetin e përhapjes së pandemisë.

Toskana është në zonën e mesme të përhapjes dhe autoritetet kanë vendosur se ky rajon duhet të ashpërsojë masat. Kafenetë dhe restorantet janë mbyllur, ndërkaq dyqanet vazhdojnë të jenë të hapura. Vetëm të martën, Italia ka regjistruar 35 mijë raste të reja, 10 mijë më shumë se të hënën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme