Industrisë së mishit në Kosovë shumë shpejt pritet t’i hapen dyert për eksportimin e produkteve nga mishi drejt tregjeve të Bashkimit Evropian.
Ky eksport po mundësohet falë trajnimeve të shumta të organizuara nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit: Siguria e ushqimit dhe mbarështimi i blegtorisë në Kosovë.
Nga 23 trajnime të organizuara, kanë përfituar 209 operatorë të ushqimit, të cilët janë njohur me praktikat më të mira për kriteret mikrobiologjike, efektet pozitive të pajisjes me standardet HACCP, mënyra e ushqimit dhe mbajtjes së kafshëve, si dhe menaxhimi i thertoreve, kurse në 132 kompani përpunuese të ushqimit është kontrolluar sistemi i gjurmimit.
“Ne jemi duke punuar me prodhuesit e ushqimit, thertoret, përpunuesit e ushqimit dhe përpunuesit e qumështit, duke i mbështetur ata në arritjen e standardeve të parashikuara nga Bashkimi Evropian. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është se ne gjithashtu jemi duke punuar me autoritetet kompetente, të cilat janë përgjegjëse për kontrollimin e prodhimit, për të siguruar pajtueshmërinë e plotë të produkteve të plasuara në treg me standardet evropiane dhe legjislacion aktual. Me qëllim që të mbështesim aktivitetin e prodhimit si dhe punën e fermerëve, kemi organizuar shumë kurse trajnimi në terren. Kjo nënkupton që, kemi angazhuar shumë ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë, të cilët kanë punuar me fermerët dhe me industritë ushqimore. Pra, kemi qenë çdo ditë me ta në hapësirat dhe fermat e tyre, duke ju ofruar mbështetje shtesë dhe duke ju ndihmuar për të arritur standardet dhe rezultatet e parashikuara”, ka deklaruar Dr. Christiano Longo, veterinar.
Pos investimeve në teknologji dhe ndjekjes së trajnimeve të organizuara nga Bashkimi Evropian, këto trajnime kanë ndikuar edhe në rritjen e numrit të të punësuarve në këtë industri.
“Në atë kohë ne kemi përdorur pajisje jo bashkëkohore, ndërsa tash kemi bërë investime në teknologjinë bashkëkohore që të përgatitemi për tregun e Bashkimit Evropian. Kompania ka investuar shumë në certifikimin e sigurimit të ushqimit në standardin Hallall dhe ISO standard duke u bërë kompania e vetme që ka investuar në gjurmueshmërinë e ushqimit. Krahas standardizimit të teknologjisë, Malësia ka filluar dikur me 10 punëtor, ndërsa tash i ka afër 50 punëtor”, ka thënë Nehat Spahiu, drejtor i thertores.
Një trajnim shumë i rëndësishëm për fermerët që merren me përpunimin e mishit ka qenë edhe mënyra e asgjësimit të mbetjeve.
Adil Spahiu, menaxher i thertores ka thënë se pas investimeve të bëra po ruajnë ambientin dhe pastërtinë e lumit.
“Ne e kemi bërë krematoriumin për këtë punë dhe në të njëjtën kohë e bëjmë asgjësimin brenda fabrikës. Nuk arrin që asnjë prej mbetjeve të kaloj në shtratet e lumenjve si po i hedhin të tjerët ose të kaloj në depot e mbeturinave që janë këtu në Gjilan ose rrethinë. Në të njëjtën kohë kemi edhe impiantin ku e bëjmë trajtimin e ujërave. Të gjitha ujërat që vijnë nga fabrika trajtohen para se të dalin në lum. Ky investim ka ndodh në fillimin e punës së fabrikës dhe ka kapur një vlerë shumë të madhe të implementimit të tij dhe realisht tash e kryen një punë shumë të madhe ku dhe ne si kompani jemi shumë komod në këtë aspekt”.
Përpos trajnimeve të organizuara për fermerët, ekspertët e BE-së kanë realizuar trajnime edhe për 285 inspektorë komunal dhe ata të Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë, të cilët janë kanë pasur mundësinë të njihen me rregullativat e reja në fushën e sigurisë ushqimore.
Për kryeshefin ekzekutiv të AUVK-së, Valdet Gjinovci, projekti Siguria e ushqimit dhe mbarështimi i blegtorisë në Kosovë është një projekt i një rëndësi të veçantë, që do të ndikoj në ngritje të kapaciteteve profesionale, përafrimin e ligjeve dhe rregulloreve sipas praktikave më të mira evropiane dhe do të ndikoj në avancimin e sigurisë ushqimore.
“Ekspertët të cilët janë angazhuar, të cilët kanë mbajtur trajnime dhe përvojën të cilën e kanë dhënë për prodhuesit vendor besoj që ka ndikuar shumë në masat e vetëkontrollit nga ana e tyre, por mbi të gjitha janë njohur nga afër mbi kriteret apo kushtet dhe standardet, të cilat ata si operator të biznesit apo si prodhues apo përpunues t’i plotësojnë në drejtim të ngritjes së kapaciteteve kontrolluese, por edhe prodhuese përpunuese në drejtim të afarimit dhe ofrimit të produkteve të sigurta për qytetarët në përgjithësi. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është njëra nga përfitueset e projekteve, në veçanti projekteve të cilat lidhen me sigurinë ushqimore dhe për këtë një falënderim i veçantë shkon për Zyrën e Komisionit Evropian, të cilët na kanë mbështetur në vijimësi. Është projekt i një rëndësie të veçantë dhe është një projekt që ka ndikuar edhe një ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe institucionale dhe mbi të gjitha ka lënë gjurmët e veta në agjenci”, ka deklaruar Gjinovci.
Trajnimet për përpunuesit e mishit janë zhvilluar në kuadër të projektit “Siguria e Ushqimit dhe Mbarështimi i Blegtorisë në Kosovë”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe i implementuar nga konsorciumi Opera, Pan Livestock dhe Instituti Zooprofilaktik Eksperimental i Breshias.