Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, tha për BIRN se thirrja e BE-së për autoritetet e të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, është që të tregojnë përmbajtjen dhe maturinë e nevojshme në mënyrë që situata në teren në Kosovë të mos eskalojë më shumë.
Komenti i saj erdhi në ditën kur Njësitet speciale të Policisë së Kosovës arrestuan shefin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq për hyrje ilegale në Kosovë.
“Të gjitha çështjet e shqetësimit të dyanshëm duhet të adresohen brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE, i cili është synimi përfundimtar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kocijanqiç.
Ajo shtoi se BE “shpreh keqardhje për ngjarjet e sotme, të cilat shkojnë në të kundërtën e normalizimit të marrëdhënieve”.
“Ne presim që edhe Serbia- e cila është në bisedimet për anëtarësim në BE- edhe Kosova- e cila është në proces të zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim- t’i respektojnë në tërësi, në letër dhe frymë, marrëveshjet e arritura ndërmjet vete në dialog”, tha Maja Kocijanqiç.