Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë pajtuar që Qeveria e ardhshme e Kosovës të mos ketë më shumë se 12 ministri.
Madje një ide është dhënë që të bëhet bashkimi i Ministrisë së Jashtme me Ministrinë e Integrimit Evropian.
Por drejtori Ekzekutiv i Institutit Epik, Demush Shasha, në një intervistë dhënë për Ekonomia Online, ka përmendur disa arsye se pse është gabim një ide e tillë.
Thotë se integrimi evropian është interes nacional dhe strategjik, andaj duhet të ketë hapësirë të veprimit në këtë fushë.
“Në këtë kuadër ne duke u bazuar në përvojat e vendeve të rajonit kemi rekomanduar që Ministria e Integrimit të shkrihet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, që procesi integrimit të jetë nën përgjegjësinë e kryeministrit. Dhe këtu kemi cekur disa arsye përse: E para është se procesi integrimit është proces i interesit nacional, është përcaktimi strategjik i shoqërisë sonë për t’u anëtarësuar në BE. Si i tillë ai gëzon 90 për qind përkrahje të qytetarëve për t’u anëtarësuar në BE”, thotë ai.
Ai thotë se procesi i integrimit më shumë ka të bëjë me reformat e brendshme dhe se shumë pak ka të bëjë me punët e jashtme.
“Një përgjegjësi kaq e madhe nuk mund të delegohet në ndonjë dikaster qeveritar, këso përgjegjësie kaq të madhe institucionale i takon vetëm kryeministrit. Procesi i integrimit është proces i reformave të brendshme, nuk ka të bëjë asgjë me punët e jashtme, siç janë punët e Ministrisë së Jashtme. Procesi integrimit ka të bëjë me reformat tona të brendshme, dhe si të tilla në qeveri është një person, i cili është në krye të gjitha këtyre reformave, e ai është kryeministri”, ka thënë Shasha.
Nëse një gjë e tillë ndodh, Shasha paralajmëron se Kryeministri mund të mbesë i painformuar për të gjitha zhvillimet në kuadër të agjendës integruese. Ndërsa ministri i Jashtëm thotë se nuk do të ketë kohë shumë që të merret me proceset integruese.
“Por çfarë ndodh në një skenar të tillë. Do të krijohen parakushtet e nevojshme për ngadalësim të reformave tona në rrugën integruese, sepse tani do të krijohet një situatë ku kryeministri nuk do jetë i informuar për të gjitha zhvillimet në kuadër agjendës integruese, kryeministri do të krijojë një distancë pune me procesin e integrimit, ndërsa nga ana tjetër Ministri i Jashtëm nuk do të ketë kohë aq sa duhet që të merret me procesin e integrimit, pasi që prioritet për te do të jetë punët e jashtme të Republikës sonë”, ka thënë Shasha.
Ndërsa shkrirjen e ministrive të tjera ai e sheh si proces që mund të bëhet.
Partitë që pritet të vijnë në pushtet LVV dhe LDK këtë javë kanë mbajtur takimin e katërt me radhë për të koordinuar programin e tyre.