Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 22:00 është bërë bastisja e një dhome në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku janë gjetur dy telefona mobil të tipit iPhone 5 dhe një karikues.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, ShKK’ja ka bërë me dije se pas intervistimit të të paraburgosurve të kësaj dhome, të njëjtit janë veçuar deri në hetimin e rastit, si dhe janë iniciuar procedura disiplinore ndaj tyre.
“Me të pranuar informacionin oficeret korrektues, në vazhdimësi të Planit Operativ për bastisje të qëllimta, bazuar në informatën konfidenciale të pranuar, prej orës 21:50 – 22:20 është bërë një bastisje e dhomës B1, në të cilën ishin të vendosur 04 (katër) të paraburgosur. Bastisja ka rezultuar pozitive, në komodinën plastike në një pjesë të kamufluar janë gjetur dy telefona mobil të tipit Iphone 5 dhe një karikues”, thuhet në komunikatë.