Para monumentit “Heroinat” në Prishtinë u lansua instilacioni “#Forher”, i cili i dedikohet viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe që shërben si thirrje për drejtësi dhe bashkim, raporton Ekonomia Online.
Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës dhe themeluese e organizatës “Drejtësi për të gjithë”, tha se pavarësisht që drejtësia për të dështoi, nuk do ndalet së kërkuari atë.
“Drejtësia në rastin tim ka dështuar edhe pse kam kërkuar drejtësi prej vitit 1999. Por edhe tash kam me kërku drejtësi prej vendit tim, prej ShBA-së. Lavdi dëshmorëve që dhanë jetën për Kosovën. Neve na u mor diçka pa dëshirën tonë, qëndruam në heshtje, por ne duhet me e thy heshtjen. Duhet me pasë mbrojtjen familjare, mbrojtje të shtetit, por neve na duhet drejtësia. Jemi 20 mijë dhe nuk kemi asnjë kriminel të dënuar. Ka pasur dhunime pa marrë parasysh moshën e gjininë. E kanë dhunu fëmijën 7 vjeçe dhe është tmerr për popullin shqiptar nëse nuk i mbron këto viktima. I kanë keqpërdorë viktimat që 20 vjet. Ju lutem na mbroni që ne të marrim drejtësi sepse Kosova nuk ka me pasë paqe nëse nuk ka drejtësi”, ka thënë Krasniqi.
Mark Gjonaj, asamblist në Neë York dhe pjesë e Batalionit “Atlantiku”, tha se dhuna ndaj grave gjatë luftës, arma e dhunimit ka qenë element i barbarizmit të Serbisë duke e bërë Kosovën vend tragjik me mijëra shtëpi të shkatërruara, me 20 mijë gra të dhunuara, mijëra të vdekur dhe mijëra të tjerë të pagjetur.
“Këto gra heroina, janë viktima të luftës, por sot janë të mbijetuara. Nga luftëtarët e Batalionit “Atlantiku”, një vajzë e cila u bashku me UÇK-në në moshën 16 vjeçare ishte kurajë për ne. Dua t’iu them heroinave sot se armiku jonë, barbarët serbë u munduan ta marrin nderin, por e vërteta është se ju jeni nderi jonë, nderi i kombit, jeni heronjtë tanë. Thërras liderët politikë dhe partitë, të dëgjojnë rrëfimet e këtyre heroinave, të ndjejnë ngjarjet e tyre dhe të sjellin këta kriminelë para drejtësisë një herë e përgjithmonë. Motrat tona, vajzat tona, nënat tona po presin që të bëhemi zë me to. Të qëndrojmë në këmbë për to, për veten, popullin tonë dhe shtetin tonë”, tha Gjonaj.
Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës në Kosovë, tha se instalacioni ka për qëllim që të kthejë vëmendjen nga ato të viktimave të cilat janë të pa mbrotjrua nga familja.
“Më 14 prill shkuam në vendin e ngjarjes, ku u dhunua Vasfija, për t’iu treguar viktimave të tjera se ne jemi pranë tyre. Jemi krenarë sot që kjo mbështetje e jashtëzakonshme për heroinat tona vjen pikërisht prej Batalionit “Atlantiku”. Mbështetja juaj është mesazh për gjithë shoqërinë për të luftuar stigmën që përballet me këtë pjesë të shoqërisë. Ky instalacion ka qëllim të kthejë vëmendjen ndaj atyre që janë ende të stepura dhe të pambrojtura nga familja. Do të vëjmë nga një vath në 7 qytete të Kosovës. Karakteri i këtyre shkronjave do të rrijë deri me 29 prill duke u mbledhur vathë”, ka thënë Rushiti, raporton EO.
Ndërkaq, vullnetarët kanë vazhduar me vënien e vathëve në instalcion.