Publicisti Baton Haxhiu ka folur për marrëveshjen përfundimtare Kosovë- Serbi.
“Stabiliteti i brendshëm në një mënyrë ose tjetër e determinon edhe kohëzgjatjen e marrëveshjes. Marrëveshja do të ndodhë”.
“Ndonjëherë, preteksti për Asociacionin është për ta ndryshuar pushtetin dhe kjo është legjitime, por jo deri në atë pikë sa të rrezikohet gjithë procesi, siç ndodhi me Demarkacionin”.
“A do të kryhet në vitin 2018 ose në vitin 2019 – kjo është çështje për të cilën do të vendosin partitë politike në Kosovë”.
Haxhiu në Info Magazine të Klan Kosovës ka folur edhe për raportin mes elementit juridik dhe elementit “popull” për marrëveshje të tilla.
“LDK e dha shembullin, e çoi në Kushtetuese, e dimë se çdo marrëveshje duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë ka dhënë interpretimin e vet dhe natyrshëm kjo e merr rrugën e vet”.
“Nëse elementi juridik është më pak i fuqishëm sesa elementi ‘popull’, atëherë çfarë kuptimi ka fuqia juridike e një dokumenti kur një pjesë e popullatës nuk e aprovon dhe nuk e do? Ky ekuilibër duhet të ekzistojë. Konsideroj se nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje janë shtetet që e kanë nisur këtë proces, plus Rusia që besoj do të jetë me insistimin e Serbisë”.
Publicisti Haxhiu ka folur edhe për ndërlidhjen e arrestimeve nga Gjykata Speciale dhe liberalizimit të vizave.
“Është fundi i korrikut, ose fillimi i gushtit, kur pritet të hyhet në një proces të normalizimit dhe akomodimit të çështjeve që deri më tash kanë qenë të hapura”.
“Nëse aktakuzat e Gjykatës Speciale dhe Asociacioni ndodhin në të njëjtën kohë, nuk ka shanse që të kryhet”.
“Konsideroj se liberalizimi i vizave do të jetë para arrestimeve”.
Haxhiu ka dhënë detaje edhe për proceset që aktualisht po ndodhin me Gjykatën Speciale.
“Janë duke u marrë në pyetje dëshmitarët, pastaj përfundon procesi i hetimit dhe prokurori vendos a ka arsye për të ngritë aktakuzë ose jo”.
Ai ka folur edhe për dilemat nëse Presidenti dhe Kryeministri mund të jenë “cak” i Speciales.
“Ramush Haradinaj nuk mund të jetë objekt i hetimeve të Speciales sepse ka kaluar nëpër një proces, prandaj nuk mund të jetë i përsëritshëm disa herë”.
“Kryeministri Haradinaj ka kaluar në shtatë filtra të gjykatave. Çka duhet të ndodhë më tutje?”.
“Do të ishte skandal po të hynte në një proces të njëjtë”.
“Të gjitha rastet që kanë qenë pjesë e hetuesisë dhe Gjykatës së Hagës nuk do të jenë pjesë e Gjykatës Speciale”.
“Trajtimi në hetuesi do të jetë për ngjarjet që kanë ndodhur në vitet 1998-1999-2000”.
“Një është e sigurt: Hashim Thaçi nuk është pjesë e asnjë akuze, në çfarëdo rasti të rëndë që ka të bëjë me ‘vrasje’ as ‘urdhër për vrasje’, dhe me asnjë prej temave të rënda që kanë të bëjnë me trafikim organesh ose tjera”.
“Hetimet që mund të ndodhin për Thaçin janë krejt politike”.
Publicisti Baton Haxhiu është shprehur i bindur se Qeveria e Ramush Haradinajt do të mund t’i bëjë ballë të gjitha proceseve të rënda në të ardhmen.
“Kjo është e vetmja qeveri që mund ta menaxhojë këtë situatë. Asnjë qeveri tjetër nuk ka guxim ta marrë përsipër këtë situatë”.
Sa i përket planeve të LDK-së që të rrëzojë qeverinë aktuale, ai e ka ofruar një sugjerim interesant.
“Miqësisht i kisha thënë LDK-së që të presë të kryhen këto procese, sepse në politikë ndonjëherë pritja është më e rëndësishme sesa marrja e pushtetit pa arsye”.