Me ftesë të Odës Ekonomike të Bavarisë dhe Qeverisë së landit bavarez, një delegacion i Odës Ekonomike të Kosovës, udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm, Parim Bajrami dhe Këshilltari Strategjik, Berat Rukiqi po marrin pjesë në punimet e Forumit të Parë Ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor, iniciativë që mëton të jetë tradicionale dhe që organizohet nga Oda Ekonomike e Bavarisë.
Para një audiencë të institucioneve të landit të Bavarisë dhe 150 kompanive nga ky regjin që është regjioni më zhvillimin me të shpejtë në Gjermani dhe Evropë, delegacioni i Odës Ekonomike prezantoi mundësitë e investimeve në Kosovë, duke shfrytëzuar përparësitë e vendit, para se gjithash fuqinë e re punëtore, pozicionimin e mirë gjeografik, sistemin e favorshëm fiskal dhe përparësitë që dalin nga regjimi tregtar liberal me vendet e CEFTA-së dhe me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Një pjesë e kompanive gjermane që ishin prezent në këtë Forum shprehen interesim të veçantë për mundësitë e investimeve në Kosovë, sidomos në fushën e Energjisë, industrinë ushqimore dhe në zhvillimin e softwareve të ndryshëm për nevojat e industrisë gjermane.
Një ndër faktet inkurajuese të bashkëpunimit potencial me landin bavarez, me të cilin Ballkani Perëndimor ka lidhje tradicionale politike dhe ekonomike, është fakti i ekzistimit të 570 kompanive me pronarë nga Kosova që operojnë suksesshëm në këtë land të rëndësishëm për ekonominë gjermane.
Ky numër i madh i kompanive me pronarë nga diaspora kosovare në Gjermani, është potencial i rëndësishëm për forcimin e prezencës së produkteve kosovare në tregun gjerman.