Drejtuesit e Bayern Muenchenit të premten u kanë dalë në mbrojtje trajnerit Niko Kovaq dhe lojtarëve të tij, megjithëse skuadra ka katër ndeshje pa fitore në të gjitha garat, duke akuzuar mediumet për “raportime të pasjellshme”.
Bayerni është kampion në fuqi i Bundesligës dhe pas shtatë xhirove këtë edicion renditet në pozitën e gjashtë në tabelë. Skuadra që fitoi titullin në gjashtë edicionet e fundit po kalon krizë rezultatesh.
Dhe çdo rezultat tjetër veç fitores ndaj Wolfsburgut të shtunën (sot) do ta shtonte krizën në skuadrën bavareze, shkruan Koha Ditore.
Presidenti i klubit, Uli Hoeness dhe shefi ekzekutiv Karl-Heinz Rummenigge kanë akuzuar mediumet për raportim “të egër, pa respekt dhe polemizues”.
Që të dy, në konferencën për shtyp të mbajtur të premten, kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime ligjore ndaj të gjitha mediumeve që vazhdojnë me raportime të tilla.