25-vjecari brazilian, Neymar, u transferua nga Barcelona te Paris Saint Germaini javën e kaluar për 222 milionë euro, por ai mund të ishte transferuar në Gjermani vite më parë për një shumë më të vogël, 24 milionë euro.
Në një intervistë për “Novi list”, agjenti kroat, Predrag Racki, tha se ai u përpoq për të lehtësuar transferimin e Neymarit në vitin 2010 te Bayern, por gjermanët nuk u pajtuan me çmimin e kërkuar prej 24 milionë eurove.
“Ishte afati kalimtar i janarit në vitin 2010 kur Danny Budimir nga “Golden Goal Sports” kontaktoi me agjentin e Neymarit, Wagner Ribeiro”, tha Racki.
“Në atë kohë, me ndihmën e shokut tim, Giovanni Trapattoni, i aranzhova një takim drejtorit për futboll të Bayernit, Christian Nerlinger. Neymar ishte vetëm 17 vjeçar, por me një klasë të jashtëzakonshme. Ishte vetëm më i dobët se tani”.
“Më pas u takova me Nerlinger në Munich. Ai më tha se ata ishin në dijeni se kush është Neymar, talenti më i madh në botë, por ishin bllokuar me çmimin, që ishte 18 milionë euro dhe me bonuse do të shkonte deri në 25”.
“Nerlinger më tha se do të vazhdojnë ta monitorojnë brazilianin, por Bayern nuk mund të japë aq para për një lojtar që nuk është 18 vjeçar”, theksoi mes tjerash agjenti kroat.
Pas refuzimit nga Bayerni, Neymar qëndroi te Santosi deri në vitin 2013, për t’u transferuar më pas te Barcelona për 88.2 milionë euro.