Më datë 4 të këtij muaji përfundoi rikonstruksioni i Bazës Ajrore të Ushtrisë Shqiptare në Kuçovë, një rikonstruksion i bërë me fondet dhe nën drejtimin e Programit të Investimeve të Sigurisë të NATO-s. Duke nisur prej kësaj date kjo bazë tashmë do i shërbejë edhe aleancës së vetme politiko-ushtarake më të madhe që ekziston aktualisht, asaj të NATOS-, pjesë e së cilës jemi edhe ne që prej 15 vitesh.
Kjo bazë ajrore 86 vjeçare ka parë të kalojnë nëpër të të gjitha aleancat politiko-ushtarake të njerëzimit që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në vitin 1930 italianët filluan ndërtimin e një aerodromi në një fushë toke buke, në atë kohë në pronësi të bejlerëve të Beratit. Duke parë kushtet e përshtatshme strategjike dhe atmosferike në vitin 1939 italianët ndërtuan aty pistën e parë sipas standardeve të kohës me përmasa 1200m gjatësi e 30m gjerësi, dhe përqendruan aty avionët luftarakë dhe bombardues të kohës “Fiat” dhe “Caproni”, duke i përdorur në misione ushtarake kundër Greqisë dhe partizanëve tanë.
Në vitin 1941 në këtë aerodrom u vendosën avionët luftarakë gjermanë të tipit “JU 88 Stukas”, dhe qëndruan aty deri në 1944. Pra nga viti 1930 deri në 1944 në këtë aerodrom u vendos aleanca politiko-ushtarake e Boshtit Nazi Fashist.
Nga viti 1944 deri më 24 prill të 1951, ditë në të cilën me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor u vendos krijimi i Aviacionit Luftarak Shqiptar, kjo bazë mbeti e papërdorur.
Në vitin 1952 u vendos dhe filloi rikostruksioni i bazës vetëm për qëllime ushtarake, dhe përfundoi në vitin 1954, vit në të cilin aty u vendos edhe Regjimenti i Parë i Aviacionit Luftarak Reaktiv Shqiptar. Pista në këtë kohë kishte gjatësi 1800m dhe gjerësi 60m dhe trashësi betoni 25cm.
Para daljes nga Traktati i Varshavës u bën sërish punime në pistë për zgjatjen e sajë deri në 3000m, dhe prej vitit 1952 e deri në vitin 1968 kjo bazë u përdor edhe nga aleanca politiko-ushtarake e vendeve të kampit socialist, ajo që njihet si Traktati i Varshavës.
Pasi u prishëm edhe me kinezët dhe deri në vitin 2004 kur u mbyll aviacioni luftarak Shqiptar kjo bazë është përdorur gjerësisht dhe maksimalisht në mënyrën më profesionale të mundshme nga aviacioni jonë luftarak.
Pra në vetëm 86 vjet vjet histori kjo bazë ka parë të kalojnë nëpër të tre aleancat më të mëdha politiko ushtarake të kohës moderne.
Në vitin 2002 kjo bazë ka pasur edhe një rikostruksion tjetër të bërë si ndihmë nga shteti Turk, ku u ndërtua kulla e kontrollit dhe u vendos një radar afrimi (Approach Radar) si dhe një sistem navigimi TACAN, dhe sistemi i komunikimit tokë ajër.
Në vitin 2014 aleanca e NATO-s e mbledhur në Bukuresht vendosi që për nevoja operacionle të saja të investonte në dy baza ajrore ushtarake për qëllime të Quick Reaction Forc (Forca e Reagimit të Shpejtë) të saja për raste operacionesh lufte ose edhe stërvitjeje. Dhe atëherë u përcaktuan dy baza, njëra në Bullgari ku aktualisht edhe sot ndodhet e përqëndruar kjo Forcë e Reagimit të Shpejtë dhe baza tjetër u zgjodh ajo e Kuçovës.
Pas përcaktimit dhe vlerësimit të specialistëve të NATO-s u vendos një investim prej 51 milion euro për rinovimin e saj dhe prurjen në standardet e NATO-s. Duke bërë në të punime në:
Sot shqipëria duke nisur prej datës 4 Mars ka një bazë ushtarake e cila i plotëson të gjitha standartet operacionale të aleancës. Dhe kjo bazë sipas Komandës Ajrore të Aleancës do të përdoret për:
Duhet theksuar se kjo është një bazë e Ushtrisë Shqiptare dhe jo bazë e NATO-s, aktualisht NATO posedon vetëm tre baza ajrore dhe ato janë të vendosura secila në një nga vendet Balltike, ku më datë 2 të këtij muaji u inagurua baza e tretë në Letoni. Baza të NATO-s konsiderohen ato baza ku NATO dhe përkatësisht Komanda Ajrore e NATO-s dhe njëra nga Qëndrat Operacionale të Kombinuara Ajrore (Combined Air Operation Center) dislokon në bazë në mënyrë të përherëshme avionë luftarak për nevoja të Policimit Ajror.
Dhe këto baza konsiderohen në këtë moment si NATO Operating Bases (Baza Operacionale të NATO-s).
Që edhe Baza e Kuçovës të konsiderohet si e tillë duhet që NATO të vendosi këtu më e pakta 4 avionë, ose një skuadrilje avionësh luftarak të cilët të kenë qëndrim të përherëshëm në këtë bazë ose me rotacion me shtetet e tjera të Aleancës.
Por si mund të ndodhi kjo?
Që kjo të bëhet realitet duhet që udhëheqësi global i katundit tonë Ed(vin) Rama, t’i dedikojë pak kohë nga koha e tij e vyer duke zgjidhur problemet e botës edhe kësaj pjese të rajonit tonë.
Uroj që udhëheqësi të mbledhë në një samit për sigurinë këtu në Tiranë vendet e Ballkanit Perëndimor anëtare të NATO-s, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, si edhe Kosovën duke qenë se ajo de fakto është nën protektoratin e NATO-s, duke shfrytëzuar shansin që nuk i vjen më kombit tonë, ku kryeministrat e këtyre vendeve janë të gjithë shqiptarë, dhe së bashku të nënshkruajnë një dokument kërkesë drejtuar Komandës së NATO-s ku të kërkohet që policimi ajror i këtyre vendeve të mos bëhet nga Greqia dhe Italia, të cilat e bëjnë aktualisht këtë me rotacion dyjavor, por të bëhet nga vende të tjera anëtare të Aleancës me të cilat këto vendet tona nuk kanë probleme të territorit dhe të historisë pushtuese.
Të njëjtën gjë kanë bërë edhe tre vendet e Baltikut (Letonia, Estonia, Lituania) dhe NATO aty ka vendosur skuadrilje ajrore të përbërë nga avionë të ndryshëm të shteteve anëtare të Aleancës.
Në rast që kjo do të ndodhte atëherë do të kishim një rritje të menjëhershme të nivelit të sigurisë dhe të rëndësisë së Shqipërisë jo vetëm në rajon, por edhe për vetë NATO-n.
Gjithashtu kjo do të sillte edhe rritje direkte të kapaciteteve njerëzore në Bazën e Kuçovës për nevoja sigurie dhe shërbimi, por edhe një rritje indirekte të ekonomisë lokale dhe të punësimit në këtë zonë.
Por një vendosje e tillë do na detyronte që të rrisnim si ushtri edhe nivelin e mbrojtjes së bazës në aspektin e mbrojtjes kundërajrore duke na detyruar për ngritjen e një batalion ose regjiment të mbrojtjes kundërajrore, duke bërë kështu rritjen e kapaciteteve tona ushtarake, të cilat do e bënin edhe më konkrete bisedimin rreth aktivizimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak pjesërisht për nevoja specifike si kjo e mbrojtjes kundërajrore.
Gjithsesi kjo e imja është thjesht një ide.
Uroj që edhe udhëheqësi global i katundit tonë të shohi të njëjtën ëndërr si unë.