Do të duhen deri në gjashtë dekada që nivelet e të ardhurave në Ballkanin Perëndimor të kapin ato në Bashkimin Evropian (BE) nëse ekonomitë e rajonit vazhdojnë të rriten me shpejtësinë mesatare të arritur ndërmjet viteve 1995 dhe 2015, thotë një raport i ri i Bankës Botërore.
Raporti Ballkani Perëndimor: Rindezja e motorëve të rritjes dhe prosperitetit, i lansuar sot në Vjenë, shqyrton si munden Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia – gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – të përshpejtojnë rritjen ekonomike dhe të arrijnë konvergjencë më të shpejtë të të ardhurave me BE-në.
“Në vitet e fundit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë hapa të mëdha në reformimin e financave publike dhe në rikthimin e rritjes ekonomike, por qytetarët mund të mos t’i ndjejnë ende përfitimet e këtij progresi”, tha Linda Van Gelder, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Përqendrimi në reformat strukturore mund të përshpejtojë rritjen ekonomike dhe të përmirësojë kushtet e jetesës në mënyrë që nivelet e të ardhurave të arrijnë ato në Bashkimin Evropian”.
Raporti vëren se reformat dhe stabiliteti makroekonomik që mund të sjellin norma mesatare të rritjes vjetore prej 5 për qind, do t’i lejonin Ballkanit Perëndimor konvergjencën me BE-në brenda vetëm dy dekadash, në vend të gjashtë.
Ndërkohë që rritja mesatare vjetore në rajon prej 5-6 për qind para vitit 2008 ishte më e shpejtë sesa në BE dhe në mbarë botën, kjo rritje u përgjysmua pas krizës financiare botërore – duke e ndalur konvergjencën e vendeve të Ballkanit Perëndimor të arritur gjatë periudhës para krizës me standardet e jetesës së BE-së dhe duke bërë thirrje për një model të ri rritjeje, të bazuar në produktivitet dhe investime më të larta, më shumë eksporte dhe një rol më të madh për sektorin privat.
“Rritja që përjetuam në rajon gjatë viteve që çuan drejt krizës financiare globale është dëshmi e potencialit të përgjithshëm ekonomik të Ballkanit Perëndimor”, tha z. Harald Waiglein, Drejtori i Përgjithshëm për Politikat Ekonomike, Tregjet Financiare dhe Doganat në Ministrinë e Financave të Austrisë, i cili mbajti fjalën e hapjes në ceremoninë e sotme. “Çështja kryesore tani është të përcaktohen prioritetet e politikave që mund të nxisin investimet e sektorit privat, të ndihmohet në thellimin e integrimit rajonal dhe të krijohen vende pune”.
Sipas raportit, rritja e eksporteve, investimeve dhe punësimit janë të gjitha fusha prioritare për politikëbërësit. Integrimi më i fortë rajonal mund të ndihmojë në rritjen e eksporteve si pjesë e BPV-së, e cila duhet të dyfishohet në mënyrë që të përputhet me ato të ekonomive të tjera të vogla në tranzicion që tashmë janë pjesë e BE-së, ndërkohë që duhet të rriten edhe investimet private në vendet ku sektori publik është ende nxitësi kryesor i ekonomisë. Nivelet e ulëta dhe me rritje të ulët të produktivitetit në Ballkanin Perëndimor kërkojnë përmirësime në mjedisin e biznesit, të cilat mund të tërheqin investime private dhe të nxisin rritjen e ndërmarrjeve.
Shkalla e papunësisë në rajon është pothuajse dy herë më e lartë se në ekonomitë e tjera të vogla në tranzicion që tashmë janë pjesë e BE-së. Me gjysmën e popullsisë në moshë pune në rajon në kërkim të punës dhe një të katërtën e punëkërkuesve nuk gjejnë punë, çelësi mbetet nevoja për të rritur pjesëmarrjen në tregun e punës në rajon. Kjo mund të arrihet duke trajtuar faktorët pengues, dhe njëkohësisht duke hequr barrierat ndaj punësimit me të cilat ballafaqohen punëtorët e moshuar, të rinjtë, gratë dhe pakicat.