Carl Miller, gazetari i BBC-së për rubrikën “BBC Click”, ka qëndruar në Kosovë para dy javësh ku ka biseduar me një tregtar të lajmeve të rreme.
Miller thotë të ketë ardhur për herë të parë në Kosovë para rreth 1 viti për një hulumtim se si pushteti po ndryshon në epokën digjitale.
Ai thotë të ketë dëgjuar për fushatat e dyshimta të ndikimit rus dhe për ushtritë që luftojnë me informacion.
“Por njerëzit që takova atje më treguan se ekzistonte një arsye tjetër, shumë e thjeshtë, se përse njerëzit dërgojnë lajme të rreme dhe sensacionale tek audienca Perëndimore. Ishte për para – ata e shpërndajnë atë sepse ne e hapim”, thotë gazetari Miller në shkrimin e publikuar në BBC, transmeton Koha.net.
“Clickbait” dhe “fake neps” janë termet që ndonjëherë përdoren për të përshkruar materiale të rreme apo sensacionale që qarkullon në internet.
Para një viti, “Burimi” më tregoi se keqinformimi është industri që po lulëzon. Një pjesë e këtyre informacioneve të pasakta ishin politike, e shumica ishin edhe më të këqija.
“Kujdestari i qenve që qëlloi qenin derisa iu thyen kockat mbetet jashtë burgut” ishte një prej tregimeve. “Djaloshi zgjohet nga koma pas 12 vjetësh, i shushurit sekrete të errëta prindërve të tij ” ishte një tjetër.
Shumica prej tyre ishin të rreme. E ndonëse disa dukeshin si lajme, kjo përmbajtje kishte vetëm një arsye: klikimet.
Të bësh para nga interneti do të thotë të kapësh audiencën dhe tregtari me të cilin ka biseduar gazetari Miller kishte rreth 12 faqe në Facebook, të dedikuara për çdo gjë – nga krishterimi evangjelist deri tek destinacionet për pushime.
Pavarësisht temës, audienca ishte tepër e madhe: 90,000 pëlqime; 240,000 pëlqime; 26,000 pëlqime.
“Burimi” mundte të shpërndante përmbajtjen e tij tek rreth 1 milion shikues dhe ato klikime i shndërronte në të hyra nga reklamat – si brenda platformës së rrjetit social ashtu edhe nëpërmjet faqeve të jashtme. Fitimi për të shkonte në rreth 600 euro në ditë.
Janë shumë më shumë para se që do të fitonte nga çdo punë legjitime.
Që kur e kam takuar Burimin, thotë Milleri, gjigantët e teknologjisë janë zotuar se do ta mbyllin këtë industri. Lajmet e rreme janë ato që Mark Zuckerbergu i quan “sfidat e tij personale”.
Më 2018, Facebooku dyfishoi ekipin e tij të sigurisë në 20,000 dhe mbylli shumë faqe e grupe që shpërndanin “clickbait”, duke e kufizuar përmbajtjen e tyre në gati padukshmëri.
“Por, muajin e kaluar, u ktheva, e kësaj radhe me BBC-në. Desha të shihja nëse diçka kishte ndryshuar dhe si dukej manovra anti-lajme të rreme e Facebookut në sytë e atyre që merren me to”, thotë Milleri, transmeton Koha.net.
“Audienca në atë faqe është kryesisht nga Britania e Madhe”, thotë burri, duke u zgërdhirë, ndërsa ul kokën para telefonit të tij në mënyrë që kamera të mos e kap fytyrën e tij.
Gazetari i BBC-së thotë se fushata e fundit e Facebookut ka bërë që fitimet të bien nga 600 euro në ditë në rreth 100.
Shpërndarja e lajmeve të rreme tashmë është bërë më pak profitabile – e ndoshta edhe më pak politike. Ndoshta është kthyer në një fushatë për të famshmit, me tregime të rreme për futbollistë që thyejnë këmbët apo tregime seksuale. Krijuesit e këtyre përmbajtjeve tashmë shpërndajnë gjëra të vogla, jo për Trumpin.
Të rinjtë
Megjithatë, edhe pse më pak profitabile, kjo praktikë është ende shumë e shpërndarë.
“Dyzet për qind e të rinjve kosovarë po merren me këtë”, thotë një tregtar. “Me mijëra e mijëra”, thotë tjetri.
Dhe s’është për t’u çuditur shumë. 100 euro në ditë është ende pagesë që ndryshon jetën për dikë, siç është ai, i cili fitonte 7 euro në ditë si kamarier para se të niste të merrej me këtë gjë. “Pseja” ishte e qartë. Por, përball reformave të Facebookut, befasia më e madhe ishte “si”.
Është një anë tjetër e kësaj industrie të lajmeve të rreme e të ‘clickbait’-it që ne nuk e shohim. Mësova se ekziston një rrjet i grupeve të mbyllura, me anëtarësi që mund të përmbajë nga disa mijëra deri në qindra mijëra anëtarë. Për t’u bërë pjesë e një grupi të tillë të mbyllur, duhet pranuar ftesë.
Por brenda, ishte e qartë se Facebooku nuk ishte thjeshtë një vend ku korr audiencë. Ishte vendi ku tregtarët e lajmeve të rreme shkëmbenin mes vete.
Milleri thotë të ketë parë faqe të Facebookut me qindra mijëra pëlqime që shkëmbeheshin për mijëra dollarë. Të tjerët shisnin pëlqime të rreme, apo llogari të rreme, apo ofronin këshilla se si të përballoheshin përforcimet e Faceboookut.
Madje, ai thotë të kenë gjetur një “pako për fillestarë të lajmeve të rreme”, bashkë me një koleksion të faqeve në Facebook për të shtuar audiencën, si dhe me uebfaqe për të monetizuar aktivitetin tuaj. Ishte ky një sektor shërbimesh ekonomike për keqinformim.
Nuk ishte vetëm Facebooku ai që po bëhej më inovativ, pasi edhe tregtarët e keqinformimit bëheshin vazhdimisht e më shumë inovativë. Disa ishin të specializuar në rritjen e faqeve e më pas shitjen e tyre. Të tjerët shisnin përmbajtje, e të tjerët ende të përqendruar se si të tejkalojnë përforcimet e Facebookut.
Edhe brenda grupeve të vogla, kjo ndodh vazhdimisht dhe me dhjetëra herë në ditë. Ishte një lojë në shkallë industriale me politikat dhe sistemet e Facebookut.
Nëpër botë, ka me mijëra njerëz sikurse ata me të cilët fola në Kosovë, thotë gazetari i BBC-së. “Zakonisht janë meshkuj të rinj dhe që njohin mirë teknologjinë, që janë në gjendje të shpërndajnë çfarë përmbajtjeje për klikime. Dhe në ndjekje të klikimeve online, tmerri, tronditja, ekzagjerimi ose ndarja fiton përsëri dhe përsëri”.
Milleri thotë se deri më tani, është kjo mënyra më e lehtë dhe më e qasshme për të bërë para për disa. “Nëse dëshironi ta ndaloni këtë, nuk mundeni thjeshtë t’i digjni fushat. Duhet t’i jepni njerëzve që të kultivojnë diçka tjetër”.