BBVA e BBVK shkatërruese të shoqërisë shqiptare

Prishtinë | 27 Mar 2023 | 10:50 | Nga Agron Hoti

Duke u munduar që me shpejtësi të kapim trendet zhvillimore të shoqërive perëndimore pa qenë fare të përgatitur për to, kemi filluar të  vetë-shkatërrohemi si shoqëri gjithandej hapësirave shqiptare. Një shoqëri mbijetese, ekstremisht e varfër, e traumatizuar, e superizoluar dhe e superpërjashtuar nga Evropa – siç ishte shoqëria shqiptare për dekada të tëra nëse jo edhe shekuj – nuk e ka ende kapacitetin të prodhojë dhe përthithë ngjarje siç prodhojnë shoqëritë perëndimore ku arsyeja do ta dominonte emocionin. Vrasja në Tiranë është argumenti më i mirë se shoqëria shqiptare ende s’është e përgatitur për BBVA dhe BBVK apo zhvillime të ngjashme.

Shoqëritë perëndimore janë tanimë në fazën e “reasoning” (arsyeshmërisë), pra shoqëri ku dominon arsyeja për çdo zhvillim shoqëror, politik, ekonomik e kulturor. Si rezultat i kësaj lëvizjeje të madhe shoqëritë perëndimore kanë filluar të jenë gjithnjë e më pak besimtare në kler e shumë më shumë në arsim dhe shkencë.

Ndërkohë që një BE e kapur nga Rusia gjatë periudhës 2000-2022 nuk po investonte nëpër hapësira shqiptare. Kjo qasje e BE -së duke i lënë anash hapësirat shqiptare ua kishte hapur derën vendeve joevropiane, të cilat përmes infrastrukturës së gatshme tokësore fetare joevropiane, po fitonin aq shumë terren në hapësira shqiptare, saqë sot më shumë shqiptarë mund të gjesh të jenë në gjendje të protestojnë për Palestinën e orientuar kah Serbia apo pro Gylenit e Erdoganit, sesa për ndonjë problematikë të vërtetë socio-ekonomike që e prek përditshmërinë shqiptare, p.sh. s’ka asnjë lëvizje serioze ndaj ngritjes së çmimeve që po rëndojnë përditshmërinë çdo ditë e më shumë dhe po nxisin emigrimin që po përthan elanin kombëtar shqiptar.

Si rezultat i kësaj ndërhyrjeje brutale të vendeve joevropiane të mbështetura fuqishëm nga Serbia dhe Rusia sidomos gjatë periudhës 2000-2022 ku Rusia po e fuste çdo ditë më shumë nën kontroll BE-në, shoqëria shqiptare tanimë është në kulmin e fetarizimit të përditshmërisë bashkë me përthithjen e kodeve të jetesës së vendeve joevropiane. Janë qindra e qindra hektarë e qindra miliona EUR nëse jo edhe miliarda që vazhdojnë të injektohen nga jashtë për të ndërtuar sa më shumë infrastrukturë fetare tokësore dhe për të blerë njerëz me ndikim që ‘eksportojnë’ fe në shoqërinë tonë. Sikur këto para të shumta të ishin investuar në sport ku promovohet rinia, e cila po na ikën çdo ditë e më shumë, hapësirat shqiptare do të kishin performancë sportive bindshëm më të madhe sesa që kanë sot dhe e tëra kjo do të ishte dekurajim për emigrimin e rinisë jashtë vendit.

Sot, mjafton të hapësh gojën pro vlerave joevropiane dhe të të mbushin gushën me lekë të vendeve joevropiane, të mbështetura fuqishëm dhe nga Serbia e Rusia; këto të fundit e kanë synim historik tjetërsimin e shoqërisë shqiptare, pra bërjen e saj sa më shumë joevropiane. Në vend që shoqëria shqiptare të lëvizte drejt “reasoning”, pra arsyeshmërisë, ajo ka marrë kahje tërësisht të kundërt nga trendet perëndimore ku shoqëria gjithëshqiptare së paku me letra synon të integrohet. I tërë ky tjetërsim i shoqërisë shqiptare ka shkuar në drejtim të promovimit të emocionit kundrejt arsyeshmërisë.

Dhe kur investon në emocion në një shoqëri që as edhe një fjalë të vetme s’është në gjendje ta thotë me kokë të ftohtë, pra me bazën arsyen, është sikur të mundohesh ta fikësh zjarrin me benzinë. Ndikimi brutal negativ i BBVA-së dhe BBVK-së sidomos te fëmijët dhe tinejxherët do të lërë pasoja në një shoqëri shqiptare që mezi po i çelën sytë duke qenë për shekuj të tërë e harruara e historisë.

Shpëtimi i vetëm i shoqërisë shqiptare është investimi në arsim dhe vetëm arsim, sepse vetëm arsimi ua ftoh kokat njerëzve duke i bërë at që të mendojnë dhe gjykojnë sipas arsyes e shumë pak sipas emocionit. BBVA dhe BBVK janë ndër deformimet më të mëdha të shoqërisë për fatin tonë të keq. E tëra kjo është biznes i pastër në dëm të zhvillimit të shoqërisë dhe rasti në Tiranë e tregon më së miri këtë.

Të ngjashme