Gjithçka nisi me beteja për Kushtetutën, me thirrje e reklama, pastaj vazhdoi me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe përfundoi me pazare politike për zgjedhjen e Presidentes.
Për kë u luajt kjo lojë politike? Kush përfitoi dhe cili ishte qëllimi i vërtetë?
Kreu i PDK-së iku, por pasojat dhe shumë pyetje mbetën. Gabimet u grumbulluan, përgjegjësia u shmang dhe askush nuk dha llogari!
E ne çfarë bëmë? Në vend që t’i kërkonim llogari, i thurëm elozhe! Në vend që të kërkonim përgjegjësi, duartrokitëm largimin e tij!
Statuti i PDK-së është bërë inekzistent, legjitimiteti i strukturave është vënë seriozisht në pikëpyetje, ndërsa partia u la peng e vendimeve të një udhëheqjeje të papërgjegjshme.
ANËTARËSIA E PDK-së DUHET TË ZGJOHET!
Të protestojë, të kërkojë llogari dhe të mos ua japë më votën atyre që e kanë shpërdoruar besimin e saj. Të mos lejojë që heshtja të merret si pajtim dhe servilizmi si besnikëri!
PDK-ja është histori, sakrificë dhe besim i mijëra njerëzve që nuk e meritojnë të trajtohen si numra për interesa politike.
Respekti për çlirimtarët nuk nënkupton heshtje ndaj gabimeve. Besnikëria ndaj partisë nuk do të thotë bindje e verbër ndaj udhëheqjes.
PDK-ja duhet ta rimarrë identitetin e saj, përndryshe rrezikon të mbetet peng e atyre që e larguan nga rruga e vet!
Anëtarësia duhet të kërkojë kthim te parimet, respektim të statutit dhe përgjegjësi, në mënyrë që partia të mos vazhdojë të paguajë çmimin e gabimeve të udhëheqjes.
Ju që protestuat çdo ditë për më shumë se 20 ditë rresht, ju që qëndruat aty në të ftohtë e në shi, ju që kishit shpirtin e pastër dhe qëllimin e mirë, krenarë qofshi, sepse ishit me çlirimtarët!
Nuk jeni ju fajtorë që mes nesh u fut kali i Trojës!