Ekonomia Online
FUNDIT

Tregu pa "gardian" , roli jetik i Autoritetit të Konkurrencës dhe kostoja e paralizës së tij në Kosovë

Tregu pa "gardian" , roli jetik i Autoritetit të Konkurrencës dhe kostoja e paralizës së tij në Kosovë

Safet Gërxhaliu

Në një ekonomi të vogël dhe në zhvillim si ajo e Kosovës, kufiri mes tregut të lirë dhe abuzimit me çmimet është shpesh i hollë. Në vijën e parë të mbrojtjes së qytetarit dhe bizneseve të ndershme qëndron një institucion i pavarur, por shpesh i lënë në hije nga krizat politike Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës (AKRK).

Se sa i rëndësishëm është ky autoritet e argumentojn edhe shumë profesionistë të fushave të ndryshme por edhe ekspertët e ekonomisë të cilët paralajmërojnë se çdo lëkundje apo bllokadë në funksionimin e këtij mekanizmi i kushton shtrenjtë xhepit të konsumatorit dhe imazhit ndërkombëtar të vendit.

Themeluar si shtyllë kushtetuese e ekonomisë së tregut, Autoriteti i Konkurrencës ka një mision të qartë: të sigurojë që në treg të fitojë më i miri, e jo më i forti apo më i lidhuri. Përmes ligjit, ky institucion vepron si "arbitër" që parandalon tri dukuri shkatërruese për ekonominë:

Marrëveshjet e fshehta (kartelet): Kur kompanitë e të njëjtit sektor merren vesh fshehurazi për të fiksuar çmimet, duke i hequr qytetarit mundësinë e zgjedhjes më të lirë.

Abuzimin me pozitën dominuese kur një gjigant ekonomik përdor fuqinë e tij financiare për të falimentuar dhe nxjerrë jashtë loje bizneset e vogla e të mesme.

Monopolet e fshehta, përmes kontrollit të bashkimeve dhe blerjeve të kompanive, AKRK garanton që tregu të mos përqendrohet në duart e një grushti njerëzish.

Përveç mbrojtjes së drejtpërdrejtë të konsumatorit përmes cilësisë më të lartë dhe çmimeve reale, puna e këtij institucioni është edhe pasaportë evropiane. Zbatimi i rregullave të konkurrencës është një nga kërkesat kyçe të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe matës kryesor i reformave ekonomike në raportet e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, historia e viteve të fundit ka treguar se kur Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës mbetet pa kuorum ose futet në ngërçe vendimmarrëse, tregu mbetet i ekspozuar si një fushë pa rregulla. Pasojat e një institucioni të paralizuar janë të menjëhershme dhe zinxhir:

1. Shpërthimi i çmimeve dhe spekulimet

Në mungesë të frikës nga gjobat dhe hetimet, operatorët e pandërgjegjshëm në sektorë jetikë – nga produktet bazë ushqimore e deri te derivatet e naftës – gjejnë hapësirë për të rritur çmimet në mënyrë të koordinuar. Koston e këtij vakumi ligjor e paguan drejtpërdrejt qytetari në arkën e supermarketit.

2. Dosje të ngrira dhe drejtësi e vonuar

Edhe nëse stafi profesional i Autoritetit mbledh prova të pakontestueshme për shkelje të ligjit, pa një Komision funksional vendimmarrës, këto dosje mbesin në sirtarë. Hetimet pezullohen, ndërsa shkelësit e ligjit vazhdojnë të përfitojnë miliona euro në kurriz të tregut të lirë.

3. Kurdisja e tenderëve publikë

Një nga fushat më të prekshme nga mungesa e mbikëqyrjes është prokurimi publik. Pa syrin vigjilent të AKRK-së, kompanitë mund të koordinojnë ofertat e tyre në tenderët e shtetit, duke fryrë çmimet dhe duke dëmtuar rëndë buxhetin publik.

4. Largimi i investitorëve seriozë

Asnjë investitor i huaj nuk sjell kapitalin e tij në një vend ku rregullat e lojës nuk mbrohen nga shteti. Një treg i kapur nga monopolet dhe pa një autoritet funksional është sinjal alarmi për kapitalin e huaj dhe shkakton kritika të ashpra nga partnerët ndërkombëtarë për ngecje në sundimin e ligjit.

Funksionimi i pandërprerë dhe i pavarur i Autoritetit të Konkurrencës nuk është thjesht një çështje teknike apo administrative e institucioneve të Kosovës. Ai është garancia e vetme që ekonomia e vendit të mos kthehet në një arenë ku të fortët diktojnë rregullat, e ku qytetari mbetet i pambrojtur përballë abuzimeve të tregut.

Të ngjashme