Sikur edhe herëve të tjera, ishte Beogradi ai që i pari e konfirmoi takimin në nivelin e lartë të dialogut e më pas këtë e konfirmoi edhe Bashkimi Evropian, shkruan sot Koha Ditore.
Kësaj radhe takimi i dy presidentëve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet të dielën, më 24 qershor, një ditë para se në Luksemburg të takohen ministrat e jashtëm të BE-së, të cilët të martën po ashtu do të miratojnë konkluzionet edhe për Zgjerimin dhe Procesin e Stabilizim-Asociimit.
Takimi i dy presidentëve do të jetë ditën e diel për shkak të agjendës së ngjeshur të përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq. Ndërkohë zhvillimi i këtij takimi para se të hapen kapitujt e rinj në negociatat e Serbisë me BE-në shihet edhe si tentim për t’i ndihmuar Beogradit që të dëshmojë se është e përkushtuar për vazhdimin e dialogut.
Përparimi në këtë dialog është kusht për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit me BE-në.