Shefja e Zyrës se Bashkimit Evropian në Kosovë (BE), Nataliya Apostolova, thotë se Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka nënshkruar Konventën e Rrjetit Evropian të Komunave.
“Rekomandoj komunat e Kosovës t’i bashkangjiten Rrjetit Evropian të Komunave dhe ka disa arsye. Konventa e Rrjetit të Komunave është globale dhe mundëson bashkëpunim më të mirë midis komunave dhe këmbimin e njohurive më të mira. Kosova është vendi i vetëm në rajon që ende nuk e ka nënshkruar këtë Konventë,” shprehet Apostolova, raporton EkonomiaOnline.
Apostolova së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kanë marrë pjesë në konferencën e parë me kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës, lidhur me zbatimin e Ligjit të ri për Efiçiencën e Energjisë dhe themelimin e Fondit për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë.
Apostolova vlerësoi se efiçienca e energjisë është investim për të ardhmen e Kosovës sepse sipas saj krijohen vende të punës dhe përmirësohet ambienti, raporton EkonomiaOnline.
Ajo theksoi se sistemi energjetik në Kosovë përballet me sfida, siç është mungesa e energjisë.
Ajo ka kërkuar partnerë të fuqishëm dhe të përkushtuar në Kosovë për t’i shtyrë përpara reformat në eficiencë.
Ajo ka përmendur investimet milionëshe të BE-së në sektorin e efiçiencës së energjisë, te cilat sipas saj kanë dhënë rezultate.
Apostolova i bëri thirrje komunave që të hartojnë planet e efiçiencës, raporton EO.
“Sistemi i e energjisë po përballet me mungesë të energjisë dhe kjo është pengesë. Si BE na duhen partnerë të fuqishëm në Kosovë për t’i quar përpara reformat në sektorin e energjisë. BE ka investuar më shume se 19 milionë euro në realizimin e masave në institucione publike. Me fondet e BE kemi reduktuar humbjet e energjisë dhe ujit në ngrohje qendrore,” shprehet Apostolova.
“Presim me padurim që të krijojmë fondin për efiçiencë të energjisë që pritet të fillojë të operojë në vitin 2019 dhe që këtu vazhdojmë të shtojmë efiçiencën e energjisë në ndërtesa publike. Kjo është një mundësi shumë e mirë që t’i prezantojnë komunat e tyre për financim nga ky fond. Presim një përkushtim të fuqishëm nga kryetarët e komunave në miratimin e planeve komunale për efiçiencë të energjisë si mjet për zhvillim të qëndrueshëm të komunave. Na duhet përkushtimi në përmirësimin e efikasitetit të energjisë. Kemi një rrugë të gjatë para nesh dhe do të ketë mbështetje nga BE,” është shprehur ajo.
Nga folës ndërkombëtar u prezantuan edhe praktikat më të mira të BE-së në menaxhimin e energjisë komunale.
Raicevic: Përmes masave të efiçiencës së energjisë komunat kursejnë para
Në Prishtinë po mbahet konferenca e parë me kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës, lidhur me zbatimin e Ligjit të ri për Efiçiencën e Energjisë dhe themelimin e Fondit për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë.
Borko Raicevic, ekspert i efiçiencës së energjisë nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, u shpreh se përmes masave të efiçiencës së energjisë komunat kursejnë para të cilat pastaj mund t’i investojnë në sektorët e nevojshëm.
Ai shtoi se Komuniteti i Energjisë pjesë e të cilit është edhe Kosova ka të bëjë vetëm me bashkëpunimin.
Raicevic deklaroi se synojnë që të krijojnë në nivel evropian dhe gobal të bashkëpunimit në fushën e energjisë.
“Komuniteti i energjisë ka për synim të krijojë bashkëpunim evropian dhe global ne për Kosovën, dhe kjo ka të bëjë me integrimin ne BE, para se shteti të bëhet anëtare e plotë e BE-së. gjendja aktuale nëKosovë është se BE po investon në fusha të energjisë, po mbështetë idenë kryesore që të krijojë tregje funksionale te tregjeve të efiçiencës dhe sundim të ligjit”.
Kosova, sipas tij, ka bërë përparim me miratimin e planeve të mëparshme të energjisë, por tha se ka ende punë për tu bërë në të sektor.
Me këtë rast do të inaugurohet edhe Karta e Energjisë, e cila është pritet të nënshkruhet nga kryetarët e komunave me zotimin se do të përqendrojnë të gjitha përpjekjet e tyre për të siguruar të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme energjetike nëpër qytete, për të mirën e të gjithë qytetarëve.
Kryetarët e komunave kanë marrë informacione mbi aktivitetet e Qeverisë dhe një projekt të financuar nga BE-ja që mbështesin zbatimin e Pakos së Energjisë 3.