BE: Hartimi i marrëveshjes për Brexit, hap vendimtar përpara

Prishtinë | 15 Nën 2018 | 08:58 | Nga Ekonomia Online

Kryenegociatori i Bashkimit Evropian për daljen e Britanisë nga blloku, Michel Barnier, tha se është bërë përparim vendimtar me hartimin e marrëveshjes përfundimtare për Brexit-in.

Barnier tha se draft-marrëveshja prej 585 faqesh, e bërë publike të mërkurën mbrëma, është “një hap vendimtar në përfundimin e këtyre negociatave”.

Ai i bëri komentet pasi kryeministrja e Britanisë, Theresa May, tha se kabineti i saj e ka mbështetur draft-marrëveshjen.

Barnier do të takojë kreun e Këshillit të BE-së, Donald Tusk, të premten.

Ai pritet të kërkojë mbajtjen e një samiti, ku do të nënshkruhej marrëveshja për Brexit.

Brexit-i pa marrëveshje ka rrezikuar ekonominë e Britanisë pas daljes nga blloku, tregtinë, fatin e qytetarëve evropianë që jetojnë në Britani e të tjera.

Britania duhet të dalë nga Bashkimi Evropian në mars të vitit të ardhshëm.

Ajo e ka marrë këtë vendim në një referendum të mbajtur në vitin 2016, pas më shumë se katër dekada si pjesë e bllokut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme