BE i kërkon Kosovës t’i zbatojë përkushtimet sipas udhërrëfyesit të dekarbonizimit të Sekretariatit Energjetik

Prishtinë | 27 Maj 2024 | 16:58 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përfaqësues të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë kanë kërkuar nga institucionet që ta zbatojnë me përkushtim udhërrëfyesin për dekarbonizimin të Sekretariatit të Energjisë, raporton Ekonomia Online.

Këtë kërkesë e ka bërë, Anna Carin Platon, shefe e Seksionit të BE-së për Politikë, Ekonomi dhe Integrim në BE, në panelin me temën “Mobilizimi i kapitalit publik dhe privat për të përshpejtuar investimet e qëndrueshme”, që u mbajt në kuadër të Forumit për Investime të Qëndrueshme.

“Mendoj që një prej mësimeve më të rëndësishme të mësuara për Kosovën, për rajonin, është që kemi qenë tepër të varur nga burimet e karbonit të energjisë dhe jemi varur shumë nga furnitorët energjetikë të pasigurt. Kjo është tani ajo që po mund të zgjedhim në BE. Caku ynë për zvogëlimin e emetimeve të gazrave është që të vendosen në 55 për qind deri në vitin 2050. Këtë e thotë pakoja e përshtatshme që përbëhet nga pako gjithëpërfshirëse për legjislacionin e energjetikë, është gjithpërfshirëse, ndërsektoriale dhe është për zbatimin e vet marrëveshjes evropiane të gjelbër. Kosova duhet të ndjekë këtë shembull, ka bërë një hap me miratimin e strategjisë për ndryshime klimatike. Ligji i parë për ndryshime klimatike në Kosovë që është miratuar nga qeveri është hap domethënës në këtë drejtim. Dorëzimi i draftit të parë të planit për energji dhe ndryshime klimatike tek Sekretariati Energjetikë gjithashtu është një hap shumë pozitiv. Inkurajojmë Kosovën si palë e traktatit energjetikë që t’i zbatojë përkushtimet sipas udhërrëfyesit të dekarbonizimit të Sekretariatit Energjetik se bashku me rekomandimet e Sekretariatit Energjetik”, ka thënë ajo.

Zef Dedaj, ushtrues detyre i drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s në kuadër të MINT-it, tha se Agjencia që ai udhëheq, i ka organizuar mbi 40 panaire e aktivitete ndërkombëtare më 2021 dhe 2023, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së kompanive vendore në tregun ndërkombëtar.

“Si KIESA jemi fokusuar që të rrisim numrin e panaireve ndërkombëtare, të rrisim pjesëmarrjen e kompanive vendore, kompanive të ndryshme në tregun ndërkombëtar, vetëm vitin e kaluar mbi 118 kompani të ndryshme kanë marr pjesë në 18 aktivitete ndërkombëtare. Mbi 1000 produkte, mallra, shërbime, aktivitet turistike dhe produkte të teknologjisë informative kanë arritur që të promovohen gjatë këtyre viteve. Eksportet e Kosovës është evidente që vitet e fundit janë rritur. Në vitin 2022 kemi pasur një rritje prej 920 milion euro, ndonëse në vitin 2023 sipas doganës ka shënuar rënie të lehte, por ka rritje në sasi. Ka shumë produkte të reja që kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme. Baza e investimeve të qëndrushme gjeneron nga ligji për investime të qëndrueshme që MINT-i e ka përfunduar vite më parë, fatkeqësisht ende është në Kushtetuese”, ka thënë Dedaj.

Ndërsa, Alessandro De Concini, menaxher i vendit i Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), theksoi se investimi dhe financimi i aseteve dhe infrastrukturës publike është me lehtë të thuhet se të bëhet, nëse jeni ministër i financave.

“Kur jeni duke u ballafaquar me çështjen e minimizimit të borxhit tuaj, të minimizimit të ekspozimit ndaj shpenzimeve kapitale, kostoja e huamarrjes, do të thotë se vetë natyra apo objektivi i arritjes së pjesëmarrjes se sektorit privat në financimin e infrastrukturës publike është bujar, por është më e lehtë të thuhet se të bëhet”, ka thënë ai.

Kryeshefja financiare në Raiffeisen Bank, Merita Giyshinca-Peja, tha se sa i përket produkteve të ndryshme, kartelat e riciklueshme, kanë filluar që së fundi t’i ofrojnë dhe plani është që deri në fund të vitit mbi 200 mijë kartela të ndërrohen.

“Në aspekt të sfidave mund të përmend disa prej sfidave është mungesa e rregullativës ligjore. Ligji veç është përpiluar, mungesa e të dhënave është një prej sfidave kryesore, ka mungesë të theksuar të industrive cila janë industritë intensive te karbonit në Kosovë”, theksoi ajo.

Ndërkohë, rektori i UBT-së. Edmond Hajrizi, tha se kur kanë të bëjnë me ngritjen e monitorimit, vlerësimit dhe vendimmarrjes në kohë reale, duhet që energjia të jetë sa më efiçiente.

“Kjo zonë është zonë ende jo mirë e implementuar në Kosovës. Mund t’i bëjmë, kemi kuadro, kemi kompani, por që në këtë hapësirë mungon bashkëpunimi. Dhe mendoj që ky bashkëpunim duhet gjithsesi të krijohet sa më shpejt. Duke filluar së pari nga bashkëpunimi publiko-privat”, ka thënë ai.

Forumi i Parë i Investimeve të Qëndrueshme, organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) ka nisur të hënën dhe do të vazhdojë punimet edhe të martën.

Të ngjashme