Bashkimi Evropian ka sqaruar se qëndrimi i saj mbetet se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet dhe se në zbatimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të merret parasysh edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“I takon Kosovës që të propozojë si të ecet përpara, me zbatimin e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, duke marrë parasysh mendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano kur u pyet se “a duhet të zbatohet Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”.
Më herët, Stano kishte thënë se Kosova me këto marrëveshje ka marrë obligime me vullnet të mirë dhe duhet t’u përmbahet atyre obligimeve.
“BE-ja dhe shtetet anëtare presin nga palët që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet nga e kaluara. Çështjet e hapura nga marrëveshjet e mëparshme duhet të adresohen paralelisht me negociatat në vazhdim e sipër për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, tha Stano, teksa iu përgjigj pyetjeve lidhur me atë se a do të bisedojnë palët për krijimin e Asociacioniz gjatë bisedimeve në Bruksel.
“Asociacioni është një mjet i krijuar në vitin 2013 për të adresuar nevojat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë. Si pjesë e negociatave për marrëveshjen gjithëpërfshirëse është thelbësore që të adresohen në përgjithësi aranzhimet për komunitetin joshumicë. Në vitin 2013, Kosova ka hyrë në Marrëveshje për të themeluar Asociacionin e komunave serbe. Kjo marrëveshje është bërë me vullnet në mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Nuk është anuluar apo tërhequr asnjëherë. Në fakt, Marrëveshja e vitit 2013 është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me shumicën e 2/3 të votave. Duke bërë këtë, Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare për të zbatuar këtë marrëveshje”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Zëdhënësi i BE-së, duke shprehur qëndrimin e bllokut evropian, ka shtuar se “i takon Kosovës që të propozojë rrugën tutje për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”.
Stano ka thënë se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin rregullisht është keqinterpretuar”.
“Gjykata asnjëherë nuk ka thënë se Asociacioni nuk mund të themelohet. Prandaj, presim nga Kosova që të respektojë obligimin që ka marrë përsipër në dialog. Çështja e aranzhimeve për komunitetin joshumicë -Asociacionin duhet të adresohet si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ashtu siç kishin rënë dakord liderët në takimin e tyre të parë në korrik të vitit 2020 dhe ishte konfirmuar në rundin e fundit më 7 shtator”, është shprehur Stano.