Disa zyrtarë të Brukselit kanë thënë se ka pak gjasa që Britania e Madhe të largohet nga Bashkimi Evropian gjatë këtij viti edhe në rast të dështimit të marrëveshjes për shkëputje nga blloku.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian janë të bindur se Bors Johnson do të jetë kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe, por se ai do ta bëjë një ndryshim të madh sa i përket premtimit të tij për largim përfundimtar nga BE-ja më 31 tetor.
Edhe në rast të mungesës së marrëveshjes për këtë çështje, ata besojnë se udhëheqësit e Bashkimit Evropian do ta mundësonin edhe një shtyrje të shkurtër, e cila do të zgjaste deri në fillim të vitit 2020.
Sidoqoftë, zyrtarët e BE-së po punojnë në drejtimin që Johnson nuk do të këmbëngulë në largimin e vendit të tij nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje, sepse një gjë e tillë do ta nxiste mocionin e votëbesimit kundër tij dhe fundin e qëndrimit në pushtet.
Në vend të kësaj, ata presin që politikani favorit për kryeministër të ardhshëm ta “shesë” një version të ndryshuar të marrëveshjes aktuale të ish-kryeministres May, të cilën ajo nuk mundi ta miratonte në kuvend.
Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian tha: “Shumë njerëz janë të frikësuar për shkak të Borisit, por unë nuk mendoj se ai është më i keqi nga të gjithë. Mendoj se Borisi mund t’i çoj përpara gjërat që Theresa May ndoshta nuk ka mundur”.
Sipas një burimi tjetër të lartë, çfarëdo që të ndodhë, pritet që Britanisë t’i ofrohet një shtyrje e shkurtër e afatit prej dy ose tre muajsh, shkruan “Daily Mail”.