Të enjten në Bruksel kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti Aleksander Vuçiq kanë rifilluar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë pas 20 muajsh ndërprerje. Një ekip teknik i dy shteteve do të takohet sërish javën e ardhshme për të shtjelluar temat që janë diskutuar më 16 korrik, konkretisht çështjen e të pagjeturve dhe ekonominë. Zëdhënësja e BE’së për Politikë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Nabila Massrali ka konfirmuar se kanë dërguar ftesat për Kosovën dhe Serbinë për takim në nivelin e ekspertëve gjatë javës së ardhshme në Bruksel.
Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali ka thënë për Gazetën Express se ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë do të takohen javën e ardhshme në Bruksel. Ky takim pritet të ndodhë pas rifillimit të bisedimeve ndërmjet Avdullah Hotit dhe Aleksander Vuçiqit.
“Një takim i nivelit të ekspertëve, që do t’i pasojë diskutimet e djeshme të nivelit të lartë, do të mbahet javën e ardhshme në Bruksel. Do të ofrojmë më shumë informata në ditët e ardhshme”, ka deklaruar Massrali.
Ndërkaq, sa i përket përbërjes së ekipeve të ekspertëve nga dy shtetet, Zyra e BE’së për Politikë të Jashtme kanë deklaruar se kanë dërguar ftesat për pjesëmarrje dhe po presin lajme nga Prishtina dhe Beogradi.
“Ne u kemi dërguar ftesat tona dhe po presim të dëgjojmë nga ta”, kanë thënë në përgjigjen e tyre, duke shtuar se takimi i nivelit të ekspertëve do të fokusohet në temat që janë diskutuar mes Hotit dhe Vuçiqit, të pagjeturit dhe ekonomia.
Ndryshe, Kryeministri Avdullah Hoti ka marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë, takim që rinisi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, konkretisht Përfaqësuesit të Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme, Josep Borell dhe të dërguarit special të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Hoti dhe Vuçiq kanë rifilluar dialogun me temën e të pagjeturve dhe ekonominë mes dy shteteve.
Kryeministri Hoti mbrëmë në emisionin Pressing ka thënë se gjatë negociatave ka kërkuar që për çështjen e të pagjeturve të hapen arkivat e shtetit serb, konkretisht Armatës Jugosllave dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë që do të mundësonin zgjidhjen e fatit të të zhdukurve.
Sa i përket diskutimeve për Ekonominë, kryeministri Hoti tha se në tavolinën e bisedimeve kanë diskutuar për heqjen e barrierave ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë si dhe qarkullimin pa pengesa të mallrave.
Ai po ashtu ka përmendur edhe marrëveshjet që janë nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Emisarit Special Richard Grenell për hekurudhën, autostradën e linjën e fluturimit të cilat do të mund të implementohen.
Diskutimet e të enjtes do të shtjellohen edhe më tutje në nivel të ekspertëve nga të dy shtetet javën e ardhshme në Bruksel.
Sa i përket diskutimeve që do të vazhdojnë javën e ardhshme, Gazeta Express ka pyetur zyrën e kryeministrit Hoti, lidhur me përbërjen e palës kosovare që do të negociojë në nivelin e ekspertëve në Bruksel.
Por, qeveria nuk ka kthyer përgjigje lidhur me këtë çështje.
Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE’së, Josep Borell ka treguar për diskutimet që janë zhvilluar të enjten të cilat i ka cilësuar si jo të lehta dhe me mospajtime.
Borell ka thënë po ashtu se dy shtetet janë shprehur të gatshëm të vazhdojnë bisedimet, dhe për këtë u ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të dërgojnë ekipet e tyre në Bruksel për të shtjelluar temat që janë diskutuar më 16 korrik.
“Ne iu kërkuam atyre që të dërgojnë ekipet e tyre në javën e ardhshme, kështu s’do të humbim kohë”, ka thënë diplomati spanjoll.