Para dy javësh Josep Borrell, deri atëherë ministër i Jashtëm i Spanjës, ka nisur mandatin si përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, që me automatizëm është edhe post i njërit prej zëvendëspresidentëve të Komisionit Evropian.
Paralajmërimi i tij se do ta vizitojë Prishtinën si destinacionin e tij të parë pasi të marrë postin nuk u realizua për shkak se, siç arsyetohet ai, në Kosovë ende nuk është formuar Qeveria e re dhe takimet atje nuk do të kishin shumë kuptim, shkruan sot Koha Ditore.
Por Borrell, sikur edhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së, janë në fazë të kompletimit të ekipeve të tyre dhe janë disa poste të cilat duhet të caktohen dhe disa të reja ndoshta të formohen.
Tashmë është në vazhdim e sipër procedura e zgjedhjes së pasardhëses së Natalyia Apostoloves për shefe të Zyrës së BE-së në Kosovë, post që me automatizëm sjell edhe titullin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, që ka vetëm një numër i kufizuar i ambasadorëve të Bashkimit Evropian. Pos kësaj duhet të zgjidhet edhe drejtori menaxhues për Evropën Perëndimor dhe Ballkanin, post që për momentin e ka holandezja Angelina Eichhorst, e cila, sipas burimeve diplomatike, është e interesuar të qëndrojë në këtë pozitë.
Por, pasi puna e saj në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë identifikohet ngushtë më Federika Mogherinin, ish-përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, burimet diplomatike thonë se ka gjasa që “Borrell ta preferojë dikë tjetër për të pasur një start të ri, e jo një kontinuitet”. Dhe nuk është i vogël numri i diplomatëve në Bruksel që e konsiderojnë si të pasuksesshëm dialogun e deritashëm, edhe pse publikisht, sipas detyrës zyrtare, duhet ta quajnë atë “sukses”.