Ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, ka pritur në takim ministren e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, me të cilën ka biseduar për fondet e IPA-s në fushën e mjedisit dhe zbatimin e direktivave të BE-së, raporton Ekonomia Online.
Matoshi tha se një ndër temat që është biseduar me ministren Hoxha ka qenë ndërrimi i filtrave të termocentralit Kosova B, projekt ky i cili do të financohet nga Bashkimi Evropian.
“Kemi biseduar për shumë tema, ndër to edhe ndërrimi i filtrave të Kosovës B. Për fondet ndërkufitare me Shqipërinë. Janë projekte dhjetëra milionëshe të cilat kanë të bëjë drejtpërdrejtë me përmirësimin e jetës të qytetarëve. Nuk do të lejojmë që asnjë nga këto fonde të dëmtohen. Jemi dakorduar edhe me ministren qe këto fonde të avancohen përpara”, tha ministri Matoshi.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se një nga projekte me rëndësi që u diskutua gjatë takimit të sotëm është ndërtimi i një deponie për materiale të rrezikshme në Fushë Kosovë.
“Sot ishte një takim i suksesshëm. Me Matoshin kemi diskutuar për projektet tona. Në veçanti vlen të theksohet se gjatë takimit tonë kemi diskutuar për disa projekte specifike me prioritet për qytetarët, pra për projektin e ndërtimit të deponisë për materiale të rrezikshme në Fushë Kosovë, lokacioni është caktuar”, tha ajo.
“…Një tjetër projekt që do të përmirësoj edhe ajrin që po e shohim çdo ditë si të ndotur është një projekt me fondet e Bashkimit Evropian që do ndërrojë filtrat në termocentralin Kosova B. Është me rëndësi që kjo të ndodhë sa më parë që cilësia e ajrit të përmirësohet. Janë projekte milionëshe të cilat BE i ka dhuruar për Republikën e Kosovën”, ka thënë ministrja Hoxha, raporton EO.