Pasi janë përmbyllur zgjedhjet për Parlamentin Evropian, për shkak të të cilave Komisioni edhe kishte shtyrë miratimin dhe publikimin, të mërkurën në Bruksel u miratuan paketa e zgjerimit dhe raportet individuale të progresit për vendet e përfshira në këtë proces.
Nga kjo paketë e zgjerimit ishin vetëm tri veprime konkrete. Komisioni miratoi mendimin për Bosnjë- Hercegovinën, e cila kishte kërkuar status kandidati, shkruan sot Koha Ditore.
Komisioni nuk qe në gjendje të konstatojë se ky shtet i përmbush kriteret e nevojshme për status kandidati dhe përmendi kushtet të cilat duhet t’i përmbushë në të ardhmen për të lëvizur në fazën tjetër.
Komisioni kësaj radhe pa kushte shtesë, rekomandoi edhe nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.
Sa u përket vendeve të tjera pak a shumë i përsëritën vërejtjen tashmë të zakonshme për mungesë të vullnetit për luftë kundër krimit të organizuar, për ndërhyrje politike në administratë dhe në sistemin gjyqësor, në rastin e Kosovës dhe të Serbisë edhe për mungesë të gjykimeve të krimeve të luftës, për mungesë të vendimeve përfundimtare gjyqësore për konfiskimin e pasurisë së krijuar me veprime kriminale.