Sot, në Prishtinë ka nisur “Java e CEFTA”-së, organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Ky takim shënon përmbylljen e suksesshme të Kosovës me Marrëveshjen e CEFTA-së.
Në këtë ditë, u zhvilluan tri sesione në fushën e tregtisë në shërbime, lehtësimit të tregtisë dhe operatorëve të autorizuar ekonomik.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se Serbia ende nuk po i pranon targat e Republikës së Kosovës, pasi që ato përmbajnë emrin e shtetit dhe flamurin, raporton Ekonomia Online.
“Gjatë kësaj jave do të kemi takime të shumta me partnerë tonë ndërkombëtarë, do të shënojmë suksesin e kryesimit të Kosovës në CEFTA. Kosova është pjesë e Këshillit për bashkim rajonal. Kosova po zbaton CEFTA-n që nga viti 2006 dhe ajo po i zbaton detyrimet e saj. 3 nga 7 vendet e CEFTA-s nuk e njohin Kosovën. Delegatët zyrtarë të të gjithave vendeve të CEFTAS-s kanë treguar mirëkuptim të vazhdueshëm. Janë disa çështje te CEFTA, që shërbyesit civil nuk mund ti zgjedhin p.sh importet apo eksportet tona. Serbia nuk po i pranon targat tona, tiketat tona pasi që ato përmbajnë emrin e shtetit tonë dhe flamurin tonë”, tha ministri Shala
Po ashtu Shala ka ngritur çështjen e mos lejimit të kompanive kosovare të qasen në tregjet e huaja.
“Më tregoni ju lutem se si munden kompanitë nga Kosova të qasen në tregjet e BE-së në mënyrë të barabartë nëse korridori më i shkurtër i transportit bllokohet për shkak të këtyre çështjeve politike? Si mund të jenë konkurrues me çmime? Në fund, si mundet Kosova që nën këto rrethana të përgatitet për anëtarësimin e saj të mundshëm në BE”.
Ministri Shala ka treguar se pavarësisht gjithë këtyre pengesave, Kosova i ka ngritur këto çështje para CEFTA-së.
“Megjithatë, as mekanizmi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve e as strukturat e saj nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë një zgjidhje miqësore. Prapë, arsyeja kryesor për këtë dështim është i njëjtë me shkaktarin kryesor të problemit. Të jemi të sinqertë me vetveten. Mos-njohja e Kosovës është pengesa më e madhe jo-tarifore në CEFTA, dhe po ashtu është barriera më e madhe ndaj lehtësimit të transportit”.
Ministri ka theksuar se Qeveria e Kosovës, me gjithë kapacitetet e saj, është e përkushtuar që të kontribuoj në shndërrimin e aspiratave tona rajonale në një realitetet të arritshëm.
“Në të kaluarën ka pasur pengesa në këtë rrugë, dhe me gjasë edhe në të ardhmen do të duhet të përballemi, bashkërisht dhe në mënyrë individuale, me pengesa të tjera të vështira. Por vështirësitë dhe pengesat e mundshme të përkohshme, nuk do të na devijojnë nga rrugëtimi ynë dhe nuk do të bëjmë kompromise për aspiratat tona legjitime. Duhet të gjejmë rrugën që në mënyrë konstruktive të punojmë së bashku në mënyrë që të lehtësojmë rrugën drejt një të ardhme premtuese të cilën populli ynë e pret dhe me të drejtë e meriton. Nuk mund t`i zhgënjejmë, dhe nuk do t`i zhgënjejmë”, tha ai.
Ministri ka thënë se beson shumë se dialogu rajonal politik do të ndihmojë në tejkalimin e këtyre problemeve, siç kemi bërë edhe në shumë raste të tjera.
David Cullen, përfaqësues i Komisionit Evropian, tha se arsyeja pse shumë nga përfaqësuesit e CEFTA-s nuk janë pjesë e kësaj konference është pikërisht vendimi i fundit për vendosjen e masës.
Cullen tha se vendimi i fundit i Kosovës është jashtë rregullave të marrëveshjes së CEFTA-s.
Ai paralajmëroi se CEFTA po përgatit një raport për të gjitha ato vende që i kanë shkelur marrëveshjet e kësaj të fundit.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu në mbylljen e javës së CEFTA-s. Vendimi i fundit vë një hije në punën e CEFTA-s dhe si pasojë e kësaj mase jo të gjithë përfaqësuesit e CEFTA-s janë sot këtu. Kjo masë është kundër rregullave të CEFTA-s. CEFTA është përkushtuar për të përgatitur një raport për të gjitha shkeljet tregtare. Mosmarrëveshjet tregtare ndodhin dhe kjo ballafaqon Kosovën në probleme por ka disa forume që e zgjedhin këtë. Do ketë projekt 3 milion euro për lehtësimin tregtar i mbështetur nga GIZ-i gjerman”, tha Collen.
“Dua të them ironikisht derisa masa ndaj Serbisë është dhënë kryesimi ndaj Kosovën ka qenë i suksesshëm. Në rrethana normale ne do fokusoheshim në përparime, por ato u hijezuan nga zhvillimet e fundit. Institucionet e BE-së kanë hapur një derë mundësie për Ballkanin Perëndimor”.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha që si pasojë e mosrespektimit të marrëveshjes për furnizim me energjinë, Kosova nuk ka energji të mjaftueshme
Ai tha se si pasojë e mundësisë për të lëvizë lirshëm prapë rritet kostoja e transportit.
“Historia ime me CEFTA-n daton nga viti 2004, atëherë ishte imperativ ekonomik përfshirja e Kosovës në CEFTA. Edhe prej atij konteksti jam mirë i njohur me problematikat të cilat e kanë përcjellë CEFTA-n. Sot do duhej te flisnim për një bilanc të këtij viti mirëpo konteksti i ri neve na shtyn për një anomali të tregtisë rajonale. Ne ende kemi çështje te cilat i kemi ngritë në vitin 2007 dhe asnjë mekanizëm nuk ka arrit ta zgjidhë këtë problem. Si pasojë e mosrespektimit për furnizim me energjinë, ne nuk kemi energji të mjaftueshme. Si pasojë e mundësisë për të lëvizë lirshëm prapë rritet kostoja e transportit”, tha Rukiqi.
Ajo që është fondamentale është që një fabrikë me konkurruar lirshëm, por energjia e ka bllokuar këtë.
“CEFTA këto i ka trajtuar si probleme politike, por kjo është gabim pasi që këto nuk janë probleme politike por tarifore. OEK ka funksionuar pasi ka pas mekanizma që kanë mundur ti zgjidhin kontestet. Për mos me ardh deri te masat reciproke, CEFTA duhet të mundohet me gjithë mekanizmat e saj të na zgjidhin këtë problem. Lutja e komunitetit të biznesit është të krijojë mekanizma efikas dhe jo burokraci”, tha ai.