Shefja e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, së bashku me kryetarin e komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, iu kanë mundësuar 100 të rinjve nga rajoni i Gjilanit, të nënshkruajnë praktikën me kompani vendore me qëllim të gjetjes së vendeve të përhershme të punës në të ardhmen, raporton Ekonomia Online.
Apostolova për Ekonomia Online, tha se në Kosovë ende ekzistojnë mospërputhjet ndërmjet nevojave të tregut dhe sistemit arsimor. Sipas saj, ky projekt do ti ofrojë të rinjve të zgjedhin të drejtën e tyre për të ardhmen e tyre.
“Është një nga takimet më të rëndësishme që kam pas deri më sot në Kosovë dje posaçërisht këtu në Gjilan sepse projekti në fjalë i synon të rinjtë. E dimë që shkalla e papunësisë është pak shqetësuese në Kosovë, me numrin e bizneseve në Gjilan kemi shanca që numri i të rinjve të rritet dhe të zhvillohet ekonomia gjithashtu. Ne e dimë që ka mospërputhje mes nevojave të tregut dhe sistemit arsimor, por kjo praktikë që po e ushtrojmë sot do i ofrojë të rinjve që të zgjedhin të drejtën për të ardhmen e tyre dhe natyrisht të iu ndihmojë edhe familjeve sepse punësimi i të rinjve duhet të jetë i lartë”, tha ajo
Apostolova shtoi se migrimi i të rinjve mund të ndalet duke krijuar projekte të tilla dhe duke e bërë jetën më atraktive për qytetarët.
“Migrimi mund të ndalet duke organizuar projekte të tilla dhe duke e e bërë jetën më atraktive për të rinjtë në Kosovë. Patjetër Kosova është një vend i bukur dhe është në zemër të Evropës dhe ka një gjeneratë shumë të talentuar të të rinjve. Shpresoj që të gjitha takimet si në Berlin e çdo kund do ofrojnë zgjidhje përfundimtare”, tha ajo.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se Komisioni Evropian ka mbështetur këtë projekt me vlerën e 14 milion euro, ndërsa Gjilani është përfitues i 3 projekteve për të rinjtë.
“Komisioni Evropian së bashku me Bankën Evropiane janë donatori më i madh në Gjilan, sektori publik dhe privat vetëm nga Komisioni Evropian është mbështetë me 14 milion euro dhe vetëm Gjilani ka 3 programe që ka fituar njëri prej të cilëve është ky sot, përfshirja e të rinjve në agrobiznes, 100 të rinj janë përfitues, është punësim i përkohshëm, punësim që krijon mundësi të praktikës me pagesë, 20 bizneseve do tu jipen grante financiare për start up dhe për funksionalizim të agrobizneseve në Komunën e Gjilanit, jemi komuna ma ambient më të qëndrueshëm në zhvillimin lokal ekonomik dhe kemi kompanitë më të mëdha të agrobiznesit në Kosovë, ky program është jashtëzakonisht i vlefshëm.”
Haziri pati edhe një ftesë për kolegët e tij që udhëheqin me komunat, ai i ftoi ata të aplikojnë në projekte të tilla pasi që sipas tij këtu nuk janë dhurata.
” I ftoj kolegët e mijë që të aplikojnë në këto programe, sepse këto nuk janë dhurata pasi që duhet me e arsyetua qëllimin.Qytetarët dhe të rinjtë kanë kërkuar nga ne me apliku në këtë projekt, ne kemi apliku dhe Komisioni Evropian e ka vlerësuar me ma mbështetë. Ka një keqkuptim mes institucioneve të Kosovës ata po mendojnë që vazhdon jeta me qenë me dhurata por ajo kohë ka përfunduar. Gjilani nuk është imune ndaj lëvizjes së të rinjëve por është shumë më pak se në komuna të tjera kjo lëvizje, ndoshta për shkak që ne jemi komuna me numrin më të madh të gurbetqarëve”, tha Haziri për Ekonomia Online.
Apostolova dhe Haziri edhe para të rinjve thanë se kjo është një mundësi e mirë që ata të trajnohen në fushën e agrobiznesit.
Shefja e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se kjo cfarë po bëhet sot është një investim që qytetarët e Kosovës të jetojnë sikur ata në Evropnë.
“Është për të mirën e Kosovës dhe për të ardhmen e kësaj gjenerate të re. Dëshirojmë të përafrojmë standardin e jetesës në Kosovë me atë të qytetarëve në Evropë. Në të vërtetë ky është një investim i qytetarëve të Evropës për ata të Kosovës. Ndryshimi që po synojmë është përmes ekonomisë dhe krijimit të vendeve të punës për të rinjtë. Sot po e bëjmë një hap solid për të rinjtë në këtë drejtim. Jam shumë e lumtur dhe shumë po shpresoj që po shkojmë drejtë një qëllimi të synuar”, tha ajo para të rinjve.
Kreu i Gjilanit, tha se ky qytet kultivon traditën e agrobiznesit. Ai tha se nxënësit në shkolla kanë mundësinë të trajnohen në këtë sektor.
“Gjilan hyn në mesin e komunave me ambient më të qëndrueshëm për zhvillimin e kulturave në bujqësi. Duke e ruajtur këtë traditë, duke e kultivuar këtë traditë, duke qenë krenar poashtu që ne kemi një prej shkollave më të mira të Republikës së Kosovës që ka të gjitha laboratorët dhe dhomën e veçantë për të kryer trajnimet në sektorin e bujqësisë, ku nxënësit janë dija”, tha ai.
Apostolova gjatë të mërkurës ka zhvilluar takime edhe me komunitetin e biznesit për të biseduar për perspektivat ekonomike në rajon si dhe rolin e mbështetjes së BE-së për punësim dhe krijimin e kushteve për ta rinjtë që të mbesin në rajon.
LEXO EDHE: Apostolova takohet me bizneset në Gjilan, synohet punësimi i të rinjve