Zëvendësshefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri, tha se po mbështesin Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionin për Ndihmë Shtetërore për të zhvilluar më tej kapacitetin e tyre institucional për të krijuar bazën për standarde të qëndrueshme ekonomike në pajtim me kërkesat e BE-së, raporton Ekonomia Online.
Serri në konferencën “Konkurrenca është e mirë, me rregullim është më mirë”, shtoi se ky projekt përfaqëson iniciativën e parë më të rëndësishme me të cilën synohet mbështetja politikave të konkurrencës dhe të ndihmës shtetërore dhe institucioneve kryesore përgjegjëse në Kosovë.
“Kosova ka potencial të mirë në anën ekonomike dhe mund të mbështetet në fuqinë punëtore që ka shumë të rinj dhe ka frymë ndërmarrëse në Kosovë dhe rajon, ka shumë për të bërë në Kosovë për të siguruar që të jetë një fushë e barabartë për të gjithë, të eliminohet privilegji të kenë mundësi të barabarta gjitha kompanitë”, tha Serri.
“Ju inkurajojmë Autoritetit Kosovar të Konkurrencës të bëj hulumtim të gjendjes së monopoleve në Kosovë ky është roli i tyre dhe duhet të jenë të zëshëm për krijimin e kartelave dhe çfarëdo blerje tjetër të kësaj natyre”, shtoi ai.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se do jenë në përkrahje të konkurrencës së lirë.
“Ne si ministri do vazhdojmë të mbështesim aktivitetet e departamentit dhe komisionit për arritjen e suksesshme të këtij projekti, projekti do të mbështes dhe përmbushë masat e MSA-së inventarin gjithëpërfshirës dhe legjislacioni primar dhe sekondar të ndihmës shtetërore”.
“Ne do jemi gjithmonë të hapur transparent dhe besoj se ndihmën e ofruar nga Komisioni Evropian do ta përdor në mënyrën me te mirë të mundshme që përveç legjislacionit të mirë që janë në përputhje dhe harmonizim dhe direktivat e BE që ka vend për përmirësime por duhet fokusohemi në implementimin korrekt dhe të drejtë të legjislacionit”, tha ai.
“Ky projekt do ta ndihmojë Agjencionin e Konkurrencës dhe besoj se do kemi ngritje të nivelit të kapaciteteve impelemtuese në këto fusha”, tha Hamza.
Drejtori i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Pestreshi, ka treguar për sfidat e Autoritetit prej kur kishte ardhur në krye të këtij institucioni.
“E kemi gjet Autoritetin në një nivel fillestar duke filluar nga çështja që nuk ka pas udhëzime administrative të reja siç i kërkon ligji, nga strukturat e organizimeve të brendshme dhe trajtimi i lëndëve që ishin grumbulluar me vite të tëra”.
“Tani jemi në një fazën ku kemi hartuar në plotin udhëzimet administrative, kemi trajtuar lëndë të ndryshme të sektorëve të ndryshme, tani jemi duke trajtuar në marrëveshje me tenderë dhe lëndën më të madhe për momentin hetimin e tregut të natës ne kemi nevojë për ekspertizë në trajtimin e çështjeve ekonomike e analizave ekonomike për te dhënë një rezultat të mirë dhe me e argumentuar në gjykatë”.
Drejtori ekzekutiv i IPKO-s, Robert Erzin, tha se kjo kompani është zhvilluar mjaftë shumë.
“IPKO është bërë lojtar madhor me shërbimet mobile nga 2007, për ne ka qenë sfiduese sepse për një investitor të huaj është e rëndësishme të keni transparencë të tregut, parashikueshmëri të treg dhe normal që Kosova ka qenë shtet i ri dhe i është dashur të ndërtohet i tërë legjislacioni jemi përball me ndryshme legjislacion kemi pasur sfida sepse sistemi gjyqësor kanë dështuar nganjëherë dhe institucionet nuk kanë qenë të mirë”, tha ai.
Ai ka përmendur edhe kontratën e ZMobile me PTK e cila thotë se ka qenë dëmshme jo vetëm për PTK-në, por për tërë tregun, raporton EO.
“Po shohim përparim të lehtë kemi pa përmirësime të mirë në anën profesionale por në treg ka ende sfida, rasti i ZMobile me PTK, ZMobile është duke dëmtuar PTK-në por në kontratë po dëmton edhe tregun mjaftë”.
“Qeveria po mbron PTK nuk po hapin tender nga 2012 kemi pas kontrata me institucione të Kosovës por kanë nënshkruar kontratë me valën nuk e di me çfarë çmimi”, tha ai.
Kohëzgjatja e projektit është nga janari 2019 deri në maj 2022 ndërsa buxheti i përgjithshëm është rreth 3 milionë euro.
Konferenca zhvillohet në kuadër të fushatës së Zyrës së BE-së në Kosovë “Let’s Talk Economy!” dhe në kontekst të projektit të financuar nga BE-ja “Mbështetja e BE-së për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionin për Ndihmë Shtetërore”, raporton EO.