BE-ja përballet me një recesion ekonomik më të thellë sesa pritej

Prishtinë | 08 Kor 2020 | 10:46 | Nga Ekonomia Online

Kriza e pandemisë COVID-19 do ta zhysë Evropën në një recesion më të thellë nga sa mendohej fillimisht, tha Komisioni Evropian. Por disa ekonomi pritet të jenë më mirë se të tjerat.

Sipas një parashikimi ekonomik të përditësuar të Komisionit Evropian, ekonomia e Eurozonës do të bjerë këtë vit në një recesion më të thellë nga sa mendohej fillimisht dhe rimëkëmbja në vitin 2021 do të jetë më pak e fuqishme.

Në dokumentin në fjalë parashikohet që ekonomia e 19 vendeve që përdorin euron do të tkurret në vitin 2020 me 8.7 për qind para se të rikuperohet vitin e ardhshëm me 6.1 për qind.

Për 27 vendet që përbëjnë BE-në, në vitin 2020 pritet një rënie prej 8.3 për qind, pasuar nga një rritje prej 5.8 për qind në vitin 2021.

Kjo do të thotë që në vitin 2021 Evropa do të jetë akoma më keq sesa para shpërthimit botëror të COVID-19 që detyroi kombe në mbarë globin të merrnin masa kufizuese dhe ta reduktonin në mënyrë drastike tregtinë.

Në maj Komisioni kishte parashikuar për vitin 2020 një rënie të përgjithshme prej 7.7 për qind dhe një rritje prej 6.3 për qind për vitin e ardhshëm.

“Ndikimi ekonomik i masave kufizuese është më i rëndë sesa prisnim fillimisht”, tha nënkryetari i Komisionit, Valdis Dombrovskis në një deklaratë të lëshuar bashkë me parashikimet e përditësuara.

Dallime drastike midis vendeve të BE-së

“Parashikimi i verës tregon, para së gjithash, se rruga për rikuperim është akoma e shoqëruar me pasiguri. Dallimet që priteshin midis vendeve anëtare janë bërë gjithashtu më të mëdha”, tha komisionari i BE-së për Ekonominë, Paolo Gentiloni në një konferencë për shtyp në Bruksel.

Ekonomitë e Francës, të Italisë dhe të Spanjës pritet të tkurren me mbi 10 për qind para se të shënojnë një rimëkëmbje të pjesshme vitin e ardhshëm.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, duket se do të pësojë një tkurrje relativisht të butë prej 6.3 për qind këtë vit pasuar nga një rritje prej 5.3 për qind në vitin 2021.

Holanda dhe Polonia gjithashtu parashikohet të kenë tkurrje më pak ekstreme.

“Përgjigja e politikave në të gjithë Evropën ka ndihmuar në zbutjen e goditjes për qytetarët tanë, megjithatë kjo mbetet një histori e rritjes së divergjencës, të pabarazisë dhe të pasigurisë”, përfundoi Gentiloni. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme